Astrit Iseni, zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, ka marrë pjesë sonte në ceremoninë zyrtare të organizuar me rastin e 30 viteve të pranisë së Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në vend. Ngjarja u mbajt nën moton “30 vjet së bashku për një të ardhme më të mirë”, duke bashkuar përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë dhe figura të rëndësishme të sektorit publik.
Gjatë fjalës së tij, Iseni theksoi se UNDP për tri dekada ka qenë një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm i institucioneve, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai vuri në dukje se mbështetja e UNDP-së ka qenë kyçe në reformat institucionale, forcimin e kapaciteteve profesionale, promovimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
MPB, sipas Isenit, e vlerëson lart bashkëpunimin sidomos në fushat e modernizimit të policisë, digjitalizimit të shërbimeve, rritjes së transparencës dhe efikasitetit, si edhe në nismat që synojnë forcimin e kohezionit social dhe rezistencës së komuniteteve.
Ai shprehu mirënjohje për partneritetin afatgjatë dhe siguroi se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, me qëllimin e përbashkët për të ndërtuar një shtet më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të zhvilluar për të gjithë qytetarët.
Në emër personal dhe në emër të MPB-së, Astrit Iseni përcolli urimet më të sinqerta për UNDP-në në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për angazhimin e saj të pandërprerë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë./press7.tv
Statusi i plotë:

