Lajme Maqedoni

Astrit Iseni, thekson rolin strategjik të diasporës në ngjarjen për Strategjinë Kombëtare 2025–2030

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, mbajti sot një fjalim në ngjarjen kushtuar prezantimit të propozim-tekstit të Strategjisë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030, ku morën pjesë Presidentja e vendit Gordana Siljanovska-Davkova, Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Në fjalën e tij, Astrit Iseni theksoi rëndësinë e avancimit strategjik dhe institucional të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën. Ai vuri në dukje se diaspora përfaqëson një potencial të fuqishëm njerëzor, ekonomik dhe shoqëror, i cili duhet kultivuar dhe mbështetur vazhdimisht.

Iseni rikujtoi se bashkatdhetarët tanë kanë qenë gjithmonë pjesë e pandashme e shtetit, ndërsa njohuritë, përvoja dhe lidhjet e tyre me atdheun përbëjnë kapital të rëndësishëm që duhet zhvilluar më tej.

Ai theksoi se MPB-ja është plotësisht e përkushtuar për të zhvilluar shërbime moderne, efikase dhe të thjeshtuara për qytetarët që jetojnë jashtë vendit – përmes procedurave të lehtësuara, zgjidhjeve digjitale dhe bashkëpunimit të përmirësuar me misionet diplomatike dhe konsullore.
“Qëllimi ynë është që çdo qytetar, pavarësisht se ku ndodhet, të marrë një shërbim të besueshëm, transparent dhe të shpejtë”, tha Iseni, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve dhe forcimit të lidhjeve me atdheun.

Ai shtoi se identifikimi i qartë i prioriteteve të diasporës është thelbësor për përmirësimet e ardhshme ligjore, teknike dhe organizative, si dhe për krijimin e mekanizmave funksionalë që do të mundësojnë përfshirje më të madhe të diasporës në zhvillimin e vendit.

Në përfundim, Astrit Iseni theksoi se MPB mbetet e hapur për bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante, ndërsa shprehu besimin se Ministria e Punëve të Jashtme, si bartëse e procesit, do ta finalizojë dokumentin në përputhje me standardet demokratike dhe me synim forcimin e lidhjeve afatgjata midis shtetit dhe diasporës./press7.tv

Exit mobile version