Lajme Maqedoni

BE-ja përshëndeti reagimin e shpejtë të institucioneve” – Hoxha i përgjigjet Nikollovskit: Ju ishit ministër i një qeverie të mbushur me skandale të përditshme

Vetëm 50 nga 453 marrëveshjet IPARD të nënshkruara janë pezulluar përkohësisht, derisa të verifikohet nëse lidhen me ndonjë vepër penale, siç pretendohet në media. Ne apelojmë që të gjitha institucionet t’i kryejnë kontrollet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Nuk do të hyj në detaje të hetimeve – këtë do ta thonë organet kompetente – deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha.

Duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga deputeti i LSDM-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, Hoxha theksoi se Bashkimi Evropian e ka përshëndetur reagimin e shpejtë dhe profesional të institucioneve shtetërore lidhur me rastin IPARD 3.

Nikollovski fillimisht kërkoi dorëheqjen e ministrit aktual të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski. Për shkak të mungesës së tij në seancë, ai e pyeti zëvendësministrin pse Agjencisë Pagesore i janë dashur 18 muaj për të zbatuar një thirrje IPARD 3 me 107 aplikime, ndërsa një thirrje e ngjashme nga IPARD 2 ishte realizuar për vetëm katër muaj.

Hoxha iu përgjigj:
“Ju ishit ministër në një qeveri që njihej për skandale të përditshme. Për dallim nga ajo kohë, sot institucionet reagojnë në kohë. Ne jemi në kontakt të rregullt me partnerët tanë të BE-së dhe ata e mirëpresin reagimin e shpejtë të institucioneve. Qeveria tashmë ka emëruar një drejtuese të re të Agjencisë – Daniela Irotova, profesioniste e dëshmuar dhe njohëse e mirë e punës së Agjencisë dhe të Ministrisë së Bujqësisë, ish–sekretare shtetërore dhe kryesuese e Komitetit të Monitorimit të IPARD 3.”

Ai shtoi se pas seancës do t’i dorëzojë Nikollovskit përgjigje të detajuara me shkrim për të gjitha pyetjet e parashtruara.

“Vetëm sa për rikujtim: MBPEU ka iniciuar disa procedura në Prokurori për periudhën kur ju drejtonit ministrinë,” tha Hoxha, duke renditur rezultatet e arritura në 15 muajt e fundit, përfshirë shlyerjen e plotë të borxheve të subvencioneve të mbetura nga qeveria paraprake.

Në vijim të fjalës së tij, Hoxha e akuzoi Nikollovskin se gjatë mandatit të tij ka anashkaluar Agjencinë për Përkrahje Financiare në Bujqësi duke themeluar komisione tre-anëtarëshe jashtë çdo procedure ligjore, vetëm për të shpërndarë grante prej 10 mijë eurosh për veraritë familjare.

Exit mobile version