Kosovë Lajme

Osmani: Në 5 vjetët e fundit në Kosovë kemi çmontuar mbi 900 banda kriminale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico” ka thënë se anëtarësimi në NATO është më urgjente për Kosovën sesa anëtarësimi në Bashkim Evropian.

Osmani ka thënë se do të ishte interes strategjik i NATO-s që të ketë zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.

“Anëtarësimi në NATO e shoh më urgjente sesa integrimin evropian. Anëtarësimi në BE merr kohë…por, besoj se NATO është më e domosdoshme për rajonin. Anëtarësimi në NATO për ne do të thoshte të jemi të sigurt, natyrisht shkaku i Serbisë e Rusisë. Besoj se Rusia ka interes ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe kontinentin e Evropës. Nuk heq dorë nga kjo. Sa më shumë territor të NATO-s që të ketë në Ballkanin Perëndimor, aq më tepër do të hezitonte Rusia. Besoj se është interes strategjik që NATO të ketë zgjerim në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, ka thënë Osmani nga Berlini.

Ajo ka thënë se Kosova i plotëson kriteret për anëtarësim në NATO, dhe se ka shpenzuar mbi 2 për qind të GDP-së për mbrojtje e brenda 4 vjetëve të ardhshme do të dyfishohen investimet në mbrojtje.

Osmani ka thënë se nëse Kosova do të ishte në NATO, Serbia kurrë s’do të guxonte të bënte akte agresionin.

Ajo ka thënë se Kosova s’ka ndonjë alternativë tjetër pos rrugën euroatlantike. Ajo ka thënë se ndonëse Kosova ka bërë reformat e nevojshme, ka harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së, prapë rruga e saj evropiane është e bllokuar.

“Ndiejmë se kjo qasje pro-evropiane, nuk është vlerësuar, përkundrazi merret si e mirëqenë”, tha Osmani.

Ajo tha se shpreson që Gjermania të marrë një rol lider dhe se procesi i zgjerimit të jetë i bazuar në merita.

“Nëse do të merret kjo parasysh, atëherë Kosova do të ishte kryesuese”, ka thënë Osmani.

Exit mobile version