Në Komunën e Çashkës, për herë të parë në histori, shumica shqiptare vendosi me votë të lirë të udhëhiqet nga një shqiptar — Suat Shaqiri nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), i cili ishte edhe kandidat mbipartiak, pasi koalicioni opozitar VLEN nuk nxori fare kandidat në këtë komunë. Ai që në raundin e parë siguroi fitoren me 2.322 vota, apo 50,71%, nga gjithsej 4.395 votues që dolën në zgjedhje, nga 6.136 të regjistruar. Dalja në zgjedhje ishte historike — 71%, një mesazh i qartë i shumicës për ndryshim dhe drejtësi.
Por në vend që të respektohet vullneti i popullit, po përgatitet një skenar djallëzor, ku kërkohet anulimi i vendvotimeve nën pretekste të rreme dhe “parregullësi teknike”.
Kjo nuk është çështje teknike — kjo është çmenduri institucionale dhe fobi antishqiptare, që përpiqet ta përmbysë rezultatin legjitim vetëm pse një shqiptar fitoi në “zemrën” e Maqedonisë. Çashka, komunë me territorin më të madh në vend, me 4.032 shqiptarë dhe 3.071 maqedonas, sipas regjistrimit 2021, po bëhet shembulli më i qartë i frikës nga barazia.
Tendenca për ta delegjitimuar këtë proces nuk është vetëm jodemokratike – është e rrezikshme. Ajo minon besimin qytetar në institucionet zgjedhore, ushqen ndasi të panevojshme etnike dhe i bën dëm serioz imazhit të Maqedonisë së Veriut si shtet multietnik dhe me aspirata evropiane.
Në vend që të shërbejë si një moment i rëndësishëm i bashkëjetesës dhe funksionimit të shtetit në bazë të vullnetit qytetar, po krijohet përshtypja se disa struktura politike dhe institucionale janë të gatshme të vënë në diskutim vetë sistemin, vetëm për të mos pranuar një realitet të ri politik dhe etnik.
Nëse vërtetë respektohet ligji, kushtetuta dhe demokracia, atëherë rezultati i zgjedhjeve në Çashkë duhet të pranohet. Çdo përpjekje për rivotim pa baza të forta ligjore dhe provash konkrete është grusht ndaj vullnetit të qytetarëve dhe një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e zgjedhjeve në vend. Është koha që të gjithë në këtë shtet ta kuptojnë realitetin se shqiptarët nuk janë më spektatorë në skenën politike, por janë faktor vendimtar. Dhe askush nuk ka më luksin t’u grabisë fitoren me skenarë të ulët e banditeskë.
Populli e tha fjalën. Mos luani me zjarrin e ndasive etnike. Demokracia nuk është pronë e partive, por e qytetarëve!