Botë Kosovë Lajme

ShBA-ja kërkon mbylljen e misionit të OKB-së në Kosovë, e cilëson “të fryrë” dhe të panevojshëm

    Sipas ShBA-së, Këshilli i Sigurimit duhet të rishikojë mandatin e UNMIK-ut dhe të shpërndajë përgjegjësitë tek organizata të tjera, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe të punojnë për paqe e stabilitet.

    Shtetet e Bashkuara kritikuan ashpër të hënën Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), duke kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së të nisë procesin e mbylljes së tij, duke e cilësuar “të panevojshëm” dhe “humbje fondesh”.
    “Qëllimi përfundimtar i një misioni paqeruajtës duhet të jetë krijimi i kushteve që e bëjnë të panevojshëm vetë misionin,” tha ambasadori amerikan Jeff Bartos, përfaqësues i ShBA-së për menaxhimin dhe reformën në OKB, duke argumentuar se Kosova “nuk përballet më me krizë sigurie që të justifikojë praninë e UNMIK-ut.”
    Sipas tij, “nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka më rol në qeverisjen e saj. Ka ardhur koha që misioni të tërhiqet”.
    Bartos theksoi se Uashingtoni e njeh kontributin e kaluar të UNMIK-ut, por nënvizoi se misioni është bërë joefikas: “Në realitet, UNMIK-u është një mision paqeruajtës i fryrë, pa paqeruajtës”, tha ai, duke shtuar se 81 për qind e buxhetit të tij shkon për paga dhe shërbime mbështetëse që mund të menaxhohen nga organizata të tjera.
    Ai e cilësoi mbajtjen e shpeshtë të takimeve për Kosovën në OKB si “performative”, që “dëmtojnë institucionin dhe i heqin burime krizave të vërteta globale”.
    “Këto takime të shpeshta e të panevojshme për UNMIK-un janë humbje kohe dhe fondesh, dhe ulin rëndësinë e punës që ky Këshill duhet të kryejë”, shtoi Bartos.