Diaspora shqiptare që jeton në Zvicër ka reaguar pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Strugë, duke kërkuar nga kandidati i AKI-së, dr. Arsim Dalipi, që të mbajë fjalën e dhënë publikisht dhe të tërhiqet nga gara për raundin e dytë.
Në reagimin e diasporës thuhet se vetë Arsim Dalipi, gjatë fushatës, kishte deklaruar në një video – ku shfaqet me fotografinë dhe zërin e tij – se kandidati që do të marrë një votë më pak do të duhet të dorëhiqet nga gara.
“Pasi rezultati i raundit të parë është i qartë, kërkojmë që dr. Arsim Dalipi të përmbushë fjalën e dhënë para qytetarëve dhe të japë dorëheqje, ashtu siç e pati premtuar vetë publikisht”, thuhet në reagim.
Diaspora shqiptare në Zvicër thekson se ka përkrahur fuqishëm kandidaturën e pavarur të Mendi Qyrës dhe apelon që Dalipi të mos bie pre e manipulimeve apo presioneve të partive politike.
“Dorëheqja ju bën nder juve personalisht”, përfundon deklarata e diasporës shqiptare në Zvicër./press7.tv