Me 3.469 vota diferencë, Izet Mexhiti ka fituar garën për kryetar të Komunës së Çairit përballë Bujar Osmanit. Epilogut zgjedhor për këtë komunë të vogël të Shkupit, e cila shtrihet në vetëm 3.52 metra katror, i parapriu një fushatë e ashpër mes dy blloqeve shqiptare VLEN dhe AKI. Partitë, përtej debatit për problemet komunale, Çairin e panë dhe trajtuan edhe si fushëbetejë ku po përcaktohej ardhmëria dhe fati i tyre politik. Prandaj, nuk ngurruan disa prej tyre që zgjedhjet komunale t’i quajnë dhe referendum. Kjo, mbase vërehet edhe në fjalorin e kandidatëve, pasi mbrëmë kuptuan rezultatin elektoral. Mexhiti në shpalljen e fitores, dërgoi porosi për Ali Ahmetin, kryetarin e partisë që i përket kundërkandidati i tij Bujar Osmani.
“Sonte po i drejtohem kundërshtarit tim politik Ali Ahmetit, me plot respekt, por edhe me qartësi. Ky është çasti kur duhesh të dorëhiqesh. Vota e shqiptarëve të dërgoi në pension politik. Kështu që uroj nga zemra ditë të qeta dhe të gjata pensioni”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.
Osmani, mbase ndër të paktët funksionar të AKI-së që dolën me reagim për rezultatin zgjedhor, ia uroj fitoren Mexhitit, duke theksuar se e njeh mesazhin e dërguar nga qytetarët.
“Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë as e ligjshme në çdo aspekt, por unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata si kjo”, shkroi Bujar Osmani, AKI.
Gjatë ditës së djeshme, i erdhi fundi edhe udhëheqjes së BDI-së me Komunën e Sarajit në disa mandate. Në raund të parë fitoi kandidati i VLEN-it, Muhamet Elmazi, i cili garoi me Blerant Ramadanin që vite nga partia e Arben Taravarit, por mbante logon e AKI-së. Sipas rezultateve të publikuara nga KSHZ, diferenca është 525 vota.
Krahas falënderimit publik të Elamzit për dhënien e mbështetjes, Ramadani, thekson se humbja nuk ishte humbje, por një zbulesë dhe se ishte moment kur u dalluan ata që besuan me zemër nga ata që u dorëzuan për përfitime.
Me 279 vota diferencë, garën për Haraçinën në rreth të parë e përfundoi edhe Daut Beqiri nga VLEN përballë Skender Isufit nga AKI. Ndërkohë do të ketë balotazh në Studeniçan mes kandidatit të pavarur Azem Sadiku, i cili mori 38.51% të votave në rreth të parë dhe Ejup Abazit të AKI-së që mori 31.69% të votave. /Alsat.mk