Kosovë Lajme

Tahiri arrin koalicion me LVV-në në Vushtrri, LDK-ja s’e aprovon

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka arritur marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për balotazhin e 9 nëntorit.

    Tahiri e kandidati i LVV-së për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, kanë thënë se marrëveshja është bërë me qëllim që qeverisja në Vushtrri të ndërrohet, ndërkohë që LDK-ja në një komunikatë për media ka thënë se nuk e kanë autorizuar këtë koalicion.

    Në balotazh në këtë komunë janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe LVV-ja.

    LDK-ja ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Tahirin për koalicionin e arritur dhe se veprimet e Tahirit janë individuale dhe të papranueshme.

    Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse”, thuhet në reagim.

    Tutje është thënë se këto veprime do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale.

    Në një video të postuar nga portali Veriu.info, Tahiri pas nënshkrimit të marrëveshjes thotë se po u drejtohet në emër të tij dhe të kryesisë së LDK-së.

    “Ky koalicion, kjo marrëveshje nuk është kundër askujt, është marrëveshje për qytetin dhe për qytetarët e Vushtrrisë ekskluzivisht. Duke qenë një besimtar unë besoj që e mira duhet të kthehet me të mirë, në vitin 2017 Lëvizja vetëvendosje ka mbështetur ndryshimin në Vushtrri, sot LDK-ja e kthen këtë mbështetje”, është shprehur Tahiri.

    Prezent në nënshkrimin e marrëveshjes ka qenë edhe kryetari i LVV-së Albin Kurti.

    Për marrëveshjen ka folur edhe Kurti.

    “Le të punojmë për çdo ditë që këtë marrëveshje për qeverisje e bëmë sot, ta realizojmë më bashkëqeverisje pas 9 nëntorit me kryetarin Sylejman Meholli”, ka theksuar Kurti.

    Për marrëveshjen Meholli ka shkruar në Facebook.

    Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në – Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti! Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025!”, ka shkruar ai.

    Meholli ka thënë se Vushtrria “ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës për t’ia kthyer qeverisjen qytetarit, qytetit zhvillimin, e qytetarëve mirëqenien pa dallim”.

    Edhe dega e LDK-së në Vushtrri ka vlerësuar se qyteti ka nevojë për ndryshim.

    “Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka. Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë. Së bashku me asambleistët e zgjedhur të LDK-së, dje jemi besatuar para Zotit që do ta sjellim këtë ndryshim”, thuhet në postimin e kësaj dege në Facebook.

    Meholli në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka daltë i dyti me 30.77 për qind të votave, e Tahiri i treti më 19.81 për qind.

    Fitues në këtë komunën është Ferit Idrizi i Partisë Demokratike të Kosovës.