Aktori dhe regjisori i mirënjohur nga Kumanova, Musa Isufi, ka reaguar me tone të forta ndaj politikës që ka udhëhequr për më shumë se dy dekada shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar për dështime të thella në aspektin infrastrukturor dhe moral.
“Janë dashur plot 22 vite, dy dekada e më shumë premtime, e prapë qytetarët jetojnë pa ujë të pijshëm e pa kanalizim. Një politikë që ka pasur kohë sa për të ndërtuar qytete të tëra, por nuk ka mundur të sigurojë as gurin më elementar të jetës – ujin,” ka thënë Isufi.
Në reagimin e tij, ai thekson se kjo politikë nuk ka dështuar vetëm në projektet e infrastrukturës, por edhe në moral dhe ndjeshmëri njerëzore, duke humbur kontaktin me realitetin e përditshëm të qytetarëve.
“Ajo ka humbur ndjesinë për qytetarin, për fëmijën që rritet me bidon në dorë, për familjen që pret reshjet për të mbushur një kovë ujë. Në vend të zhvillimit, ka sjellë varfëri, në vend të dinjitetit – poshtërim.”
Sipas tij, mungesa e ujit të pijshëm është simbol i mungesës së civilizimit dhe progresit. Ai shton se një pushtet që nuk siguron ujë, është si një trup pa gjak – “thjesht një hije që endet mbi popullin e vet.”
Isufi apelon që populli të mos mashtrohet më, por të kuptojë se kush ka përfituar nga pushteti për 22 vite, ndërsa qytetarët kanë mbetur në pluhur e pa kushte elementare jetese.
“Koha e mashtrimeve ka kaluar. Ata që 22 vite kanë pirë ujin e pushtetit, por nuk kanë lënë as një pikë ujë për qytetarin, nuk meritojnë më asnjë justifikim.”/press7.tv