Pranvera Gashi, e lindur në Suharekë në vitin 1994, ka vendosur që përvojën dhe dijen e saj shumëdimensionale ta kthejë në shërbim të Kosovës. Pas një rrugëtimi të gjatë akademik dhe profesional që përfshin Kosovën, Skocinë, Francën dhe Zvicrën, ajo tashmë është e gatshme të kontribuojë në zhvillimin e vendit të saj.
Gashi ka përfunduar studimet në Arkitekturë (Bachelor dhe Master në UBT) si dhe në Arkeologji në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka qenë bursiste gjashtë herë dhe ka fituar përvojë të gjerë në institucione prestigjioze, përfshirë edhe punën e saj aktuale si arkitekte në një kompani ndërtimore në Zvicër dhe si bashkëpunëtore në Institutin Arkeologjik të Kantonit Aargau.
Përvoja e saj shtrihet edhe në angazhime ndërkombëtare – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia e deri në Gjermani, Brazil dhe Zvicër – ku ka përfaqësuar kulturën dhe identitetin shqiptar. Për më shumë se tre vite e gjysmë ajo ka përfaqësuar Ballkanin Perëndimor me një brand botëror në industrinë e bukurisë, duke dëshmuar se një femër nga Kosova mund të jetë pjesë e skenës globale.
Pranvera Gashi beson se ekspertiza e saj në arkitekturë, arkeologji dhe trashëgimi kulturore, e kombinuar me përvojën e përfaqësimit ndërkombëtar, mund të sjellë zhvillim të qëndrueshëm urban, mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe hapje të mundësive të reja për rininë në Kosovë.
“Jam e bindur se kjo përvojë shumëdimensionale duhet të vihet në shërbim të qytetarëve tanë. Bashkë mund të krijojmë një të ardhme ku rinia ka më shumë mundësi, ku kultura dhe trashëgimia jonë ruhen me krenari dhe ku profesionistët tanë gjejnë hapësirë për të kontribuar”, ka deklaruar Gashi./press7.tv