Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar gjeneralmajor Enrico Barduanin me Medaljen Presidenciale Ushtarake, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në paqe dhe siguri gjatë mandatit në krye të misionit të KFOR-it në Kosovë.
“Gjatë mandatit të tij në krye të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani ka dhënë kontribut të çmuar për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajon. Në shenjë falënderimi për këtë shërbim të vyer, javën që shkoi, e dekorova atë me Medaljen Presidenciale Ushtarake – një simbol i mirënjohjes së popullit tonë dhe i përkushtimit të pandërprerë të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate”, ka deklaruar presidentja Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.
Gjeneralmajori italian Enrico Barduani mori komandën e KFOR-it në tetor të vitit 2024, duke pasuar gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash.
KFOR, misioni më i madh ushtarak i NATO-s në Kosovë, është vendosur që nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe hyrjes në fuqi të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rreth 4 mijë trupa nga mbi 28 shtete kontribuese janë aktualisht të angazhuara në kuadër të misionit, me mandatin për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.