Vendimi i Uashingtonit për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën është një lajm i rëndë, por për mua hiq i papritur. Ky vendim nuk është as pozitiv dhe as në funksion të stabilitetit rajonal; përkundrazi, është një gabim strategjik që do të ketë pasoja për të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkanin e trazuar nga Serbia/Rusia.
Kosova është shtet i dalë nga gjaku, nga sakrifica dhe nga vullneti i një populli që kurrë nuk pranoi robërinë serbe e as jugosllave. Ne nuk kemi ardhur deri këtu për t’u përkulur përpara një gjykate të kapur politikisht, e cila, në vend që të mbrojë kushtetutën, e përdor atë për të favorizuar një strukturë terroriste, si Lista Serbe, instrument i Beogradit në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti e ka thënë qartë: “Gjykata Kushtetuese është kthyer në një mjet për t’i dhënë fuqi Listës Serbe dhe për të minuar demokracinë e Kosovës.” Kjo nuk është retorikë, por realitet i hidhur që çdo qytetar e sheh dhe e përjeton çdo ditë.
Të kritikosh një gjykatë të kapur nuk është antidemokratike. Është akti më demokratik që një udhëheqës me dinjitet mund të bëjë. Demokracia nuk është nënshtrim ndaj institucioneve të kalbura, por betejë e përditshme për t’i çliruar ato nga korrupsioni dhe nga ndikimi i huaj.
Nëse e lexojmë këtë vendim përmes syzeve të demokracisë amerikane, shohim qartë paradoksin: duke ndëshkuar Kosovën për qëndrime të guximshme dhe kritike, SHBA në fakt i jep oksigjen Serbisë dhe Rusisë së trazuar.
Ky është një shembull i asaj që Chomsky e quan “inversion i logjikës politike”, ku fuqitë e mëdha, në vend që të mbrojnë demokracitë e brishta, i dobësojnë ato, duke i bërë dhuratë autoritarëve, në këtë rast Vuciqit dhe Putinit.
Në realitet, ky vendim nuk është pasqyrim i dobësisë së Kosovës, por i krizës së vetë Amerikës në politikën e jashtme. SHBA sot përballet me polarizim të brendshëm, me erozion të besimit në institucione, dhe me një mungesë të koherencës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pezullimi i dialogut strategjik me Kosovën nuk është shenjë e forcës amerikane; është simptomë e pasigurisë së saj globale.
Të dashur lexues,
Ne kemi institucionet tona, të dala nga vota e lirë e qytetarëve, nga vota më e pastër që ka parë ky rajon i përgjakur nga Serbia. Kemi mbështetjen e plotë të BEsë, i cili e sheh Kosovën si pjesë të së ardhmes së tij. Dhe mbi të gjitha, kemi një popull të vetëdijshëm që e di se liria nuk falet, nuk dhurohet dhe nuk negociohet; pavarësia dhe liria fitohet dhe mbrohet çdo ditë, çdo sekond…
Prandaj, ky vendim i përkohëshëm i SHBA-së nuk duhet të na trembë, por të na mobilizojë. Ta shohim si provë të qëndrueshmërisë sonë. Ta kuptojmë se askush nuk mund të na e marrë dinjitetin, përveç nëse ne vetë e dorëzojmë atë. Dhe ne nuk do ta dorëzojmë.
Kosova është e vogël në territor, por e madhe në qëndresë. Ne i kemi mbijetuar perandorive, diktatorëve, masakrave dhe shfarosjes serbe. Do t’i mbijetojmë edhe këtij pezullimi të përkohëshëm të dialogut strategjik me aletatët tanë në SHBA.
Të nderuar lexues,
Historia nuk shkruhet nga ata që ulen dhe presin urdhra, historia shkruhet nga ata që ngrihen, rezistojnë dhe ecin përpara. Dhe Kosova do të ecë përpara, drejt Evropës, drejt demokracisë së vërtetë, drejt një të ardhmeje ku vendimet nuk i marrin ambasadat, por qytetarët.
Porosia nga Kosova: ne nuk jemi vetëm një shtet i ri në hartë, jemi kombi më i vjetër në Europë. Ne jemi një ide e gjallë e lirisë, e drejtësisë, demokracisë dhe e dinjitetit. Dhe idetë nuk shuhen me pezullime, por vetëm forcohen duke u mbështetur fort tek e drejta, demokracia, liria e fjalës dhe e kritikës, dhe tek aleatët tanë.
Konsekuent deri në fund; shpresojmë të mos jetë ky vendim, palidhje, në shërbim të opozitës së korruptuar dhe Listës Srpska të Beogradit!
Rruga Press