Lajme Maqedoni

“Sistina” do ta padisë Kedevin nëse nuk tregon publikisht se në cilin spital vendosen stenda për përfitim financiar

Screenshot

“Acibadem Sistina” reagoi pas deklaratave të profesor doktor Sashko Kedev, kardiolog, i cili gjatë një emisioni në Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen operacione, hapje të kraharorit dhe vendosen stenda pa nevojë, duke u nxitur nga profiti.

Sistina thekson se këto pretendime janë të pabaza, dëmtojnë reputacionin e institucionit dhe të mjekëve të saj, dhe krijojnë frikë te pacientët aktualë dhe të ardhshëm. Ata kërkojnë nga Dr. Kedev që të sqarojë saktësisht për cilin spital privat bëhet fjalë, pasi në deklaratën e tij nuk u përmend emri i ndonjë institucioni konkret.

Në të kundërt, klinika paralajmëron se do të marrë masa ligjore për shpifje dhe dëmtim të imazhit. Sipas “Acibadem Sistina”, institucionet do të vazhdojnë të ofrojnë kujdes shëndetësor të lartë, me transparencë dhe integritet, duke u bazuar gjithmonë në interesin më të mirë të pacientëve.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë po koordinon kontrollin e këtyre pretendimeve, duke kryer inspektime urgjente dhe jashtëzakonisht të detajuara për të siguruar një pasqyrë të plotë të situatës në spitalet private.

Dr. Kedev, nga ana e tij, ka thënë se shumicën e kohës së tij profesionale e kalon duke parandaluar pacientët nga ndërhyrjet kirurgjikale të panevojshme, përfshirë vendosen e stendave dhe operacione të tjera që nuk janë të nevojshme./TV21

Exit mobile version