Lajme Maqedoni

Zvkryeministri Fetai kundër ministrit Filkov: Badinteri nuk preket

    Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit politike rreth mekanizmit të shumicës së dyfishtë, të njohur si Parimi i Badinterit, duke theksuar se ky mekanizëm mbetet i paprekshëm. Reagimi i tij vjen pasi që ministri i drejtësisë nga ZNAM, Filkov theksoi se duhet të shqyrtohet ky parim.

    “Jemi të vetëdijshëm se fushata parazgjedhore zgjon lloj-lloj fantazirash jashtë çdo realiteti që synojnë vetëm një grusht vota më tepër. Megjithatë, po e theksojmë që ta heqim çdo dyshim: Badinteri nuk preket”, ka deklaruar Fetai.

    Ai ka kujtuar se Parimi i Badinterit është gurthemeli i demokracisë konsensuale në Maqedoninë e Veriut, që garanton barazinë, bashkëjetesën dhe paqen duke siguruar që vendimet kyçe të reflektojnë vullnetin e dy komuniteteve më të mëdha në vend.

    Sipas tij, çdo tentativë për ta vënë në pikëpyetje këtë mekanizëm është e pamundur juridikisht:
    “Edhe po të tentonte dikush të shkojë përtej demagogjisë parazgjedhore për ta sfiduar atë në realitet, nuk ka deputet shqiptar që do ta përkrahte një iniciativë të tillë, ndërsa pa shumicën e votave shqiptare është juridikisht e pamundur të preket Badinteri.”

    Fetai e quajti këtë debat si të kotë dhe anti-evropian.

    “Çdo diskutim në këtë drejtim është anti-evropian, i kotë dhe shërben vetëm si diversion nga prioritetet tona të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Le të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave evropiane dhe të demokracisë konsensuale dhe të vazhdojmë të ndërtojmë një Maqedoni të Veriut të fortë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, përfundoi ai.(INA)