Lajme Maqedoni

Fetai: Për herë të parë, institucionet flasin qartë kundër ksenofobisë, koha e heshtjes për vota ka përfunduar!

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me brohoritjet nacionaliste dhe shpërthimet ksenofobe gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë.

Fetai thekson se, për herë të parë, të gjitha institucionet e shtetit nga Kryeministri, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës VLEN, Komuna e Kumanovës dhe FBMV, kanë dënuar qartë dhe pa ekuivok gjuhën e urrejtjes dhe sjelljen raciste në ngjarje sportive.

Ai kujton se që nga viti 2004 vendi ka një Ligj për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së papërshtatshme në ngjarjet sportive, i cili parashikon sanksione të qarta për çdo nxitës të urrejtjes ose intolerancës, por për 21 vite me radhë asnjë dënim real nuk është shqiptuar.

“Sa herë më parë pushteti ka folur kaq qartë e zëshëm kundër ksenofobisë në sport? Asnjëherë”, shkruan Fetai, duke akuzuar se prokurorë, gjyqtarë dhe funksionarë të së kaluarës heshtnin për interesa politike dhe financiare.

Zëvendëskryeministri vë në dukje se kjo Qeveri e ka zgjedhur një rrugë tjetër: atë të ligjit, barazisë dhe tolerancës. “Ne promovojmë shtetin e së drejtës dhe kërkojmë hetime e sanksione për çdo shkelës të ligjit, pa dallim përkatësie”, thekson ai, duke përmbyllur me një zotim të qartë: Ky është dallimi mes nesh dhe atyre. Dhe ky është zotimi ynë për një Maqedoni të Veriut të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Exit mobile version