Kosovë Lajme

Kosova i kërkon SHBA-së bashkëpunim për industrinë ushtarake

Zyrtarë të lartë të Kosovës e kanë pritur me nderime të larta e ushtarake zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n, David Baker. Pas pritjes që i bëri në presidencë, presidentja Vjosa Osmani, e kualifikoi mbështetjen amerikane si jetike për sigurinë e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në NATO. E në takimin që zyrtari amerikan e pati me komandantin e KFOR-it, u prek edhe tema e dialogut mes Kosovës e Serbisë

Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n, David Baker, është pritur të shtunën nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë.

Nderimet më të mëdha i janë bërë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty i është shtruar çilimi i kuq, ndërsa roje nderi ka bërë Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Baker është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Institucioni më i lartë shtetërorë ka bërë të ditur se me zyrtarin amerikan, Osmani diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin Osmani-Baker. “Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike”.

Në njoftim është thënë se presidentja Osmani ka potencuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve.

Është diskutuar edhe bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës. “Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.

Në mbrëmje, zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n është pritur edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një darkë pune.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n, është takuar edhe me Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Enrico Barduani.

KFOR-i ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Takimi ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për t’i ndarë pikëpamjet rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe për rrugën përpara për ta mbështetur sa më mirë angazhimin e ripërtërirë politik për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zotëri Bakeri e rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së për misionin e KFOR-it në Kosovë, duke e theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Vizitën e parë të Bakerit në Kosovë, analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni, e ndërlidhi me faktin se presidenti amerikan, Donald Trump, brenda pak kohësh ka përmendur dy herë se e ka shmangur një luftë mes Kosovës e Serbisë.

Rreziku serb për Kosovën nuk është më as ëndërr, as përfolje, por rreziku serb na pret te porta. Besoj që ka ardhur momenti që duhet rendur Kosova dhe Shqipëria sepse jemi përpara situatave shumë të vështira. Nuk është kot përmendja që ka bërë z. Trump dy here”, i ka thënë ai KOHËS.

E, një ditë më parë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e ka përmendur Kosovën në mesin e shteteve në të cilat presidenti Trump ka ndikuar sivjet që të parandalohen luftëra. E theksoi këtë, derisa ia atribuoi presidentit amerikan meritat për t’i shuar tensionet ndërmjet vendeve.

“Presidenti tani i ka përfunduar konfliktet midis Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, dhe Egjiptit dhe Etiopisë”, ka thënë Leavitt. “Kjo do të thotë se presidenti Trump e ka ndërmjetësuar, mesatarisht, rreth një marrëveshje paqeje ose armëpushim në muaj gjatë gjashtë muajve të tij në detyrë”.

Edhe gjatë vizitës në Uashington muajin e shkuar, presidentja Osmani konfirmoi se trump është angazhuar për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Në fillim të vitit Osmani ka paralajmëruar finalizimin e marrëveshjes për dialog strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, pas takimit që pati me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma. Osmani e ka cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme dhe ka bërë të ditur se marrëveshja do të përfshijë fusha me rëndësi, si dhe do të forcojë partneritetin strategjik ndërmjet dy shteteve.

Exit mobile version