Kosovë Lajme

Trump flet për rrezikun e luftës Kosovë-Serbi, ish- koloneli me mesazh të fortë: Kosova duhet të…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sot gjatë një paraqitjeje për gazetarët, ka thënë se ka shumë armëpushime në botë.

“Serbia dhe Kosova janë një tjetër. Kemi shumë pika të nxehta që ishin luftë”, ka thënë Trump.

Trump thotë se, nëse ai nuk do të ishte në detyrë, do të zhvilloheshin gjashtë luftëra.

“Nëse nuk do të isha unë këndejpari, do të ishin tani gjashtë luftëra të mëdha. India do të luftonte me Pakistanin”, shtoi ai.

Ai tha se ndërhyrja e tij çoi në një armëpushim mes Tajlandës dhe Kamboxhias. Trump përmendi edhe marrëveshjen e paqes midis Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Përmendja e një lufte të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk është e para herë.

Trump kishte thënë se ka parandaluar një luftë të mundshme edhe muaj më parë, duke folur për konfliktin në Lindjen e Mesme.

Në anën tjetër, përkundër këtyre deklarimeve, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk nguron të bëjë ‘kërcënime’.

Vuçiq pas arrestimit të Igor Popoviq, ka thënë se kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.

A ka të rinj të mjaftueshëm Kosova në rast se ndodh një konflikt i mundshëm dhe si duhet të vepruar, për këtë ka folur ish- koloneli dhe ish- ushtari i UÇK-së, Afrim Veseli.

Veseli kërkon që të punohet dhe të investohet në arsim, kjo pasi përmes dijes rritet dashuria për atdhe.

Ai thotë se secili duhet t’i përgjigjet thirrjes për mbrojtjen e atdheut.

“Duhet të punohet dhe të investohet më shumë në arsimim. Vetëm përmes dijes dhe duke rritur dashurinë për atdheun dhe popullin tonë, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. E ardhmja e vendit janë të rinjtë tanë. Në rast agresioni, secili prej nesh duhet t’i përgjigjet thirrjes për mbrojtjen e atdheut. Liria dhe mbrojtja e saj nuk kanë çmim. Ndjenja për liri, dëshira për të jetuar të lirë si çdo popull tjetër dhe dhuna e papërshkrueshme e armikut, ishin shtysat që më bënë t’i bashkohem luftës për liri. Edhe sot, do ta bëja të njëjtën gjë. Serbia dhe Vuçiqi nuk do ta ndryshojnë kurrë qëndrimin ndaj Kosovës”, deklaron Veseli për “Bota sot”.

Exit mobile version