Sport

Po festonte para aksidentit? Flet Fizioterapisti i Diogo Jotës: Ja e vërteta

Pas tragjedisë që tronditi botën e futbollit me vdekjen e sulmuesit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij André Silva në një aksident rrugor në Spanjë, fisioterapisti personal i futbollistit, Gonçalves, ka thyer heshtjen për mediat duke ofruar detaje mbi rrethanat e udhëtimit dhe duke përgënjeshtruar zërat e pavërtetë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën portugeze Record, Gonçalves ka reaguar ndaj spekulimeve të shumta që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe media, të cilat sugjeronin se vëllezërit Jota po festonin apo po jetonin një jetë të shfrenuar përpara aksidentit.

Lexova gjëra të pakëndshme në internet dhe media. Diogo dhe André nuk po festonin, nuk po bënin një jetë të egër,” – ka theksuar me forcë Gonçalves, duke hedhur poshtë këto pretendime.

Ai ka shpjeguar se dy vëllezërit kishin nisur një udhëtim automobilistik drejt Anglisë, me një ndalesë të planifikuar pranë qytetit të Burgos në Spanjë, ku do të pushonin përpara se të vazhdonin rrugën drejt Liverpool-it. Sipas fizioterapistit, Diogo Jota kishte planifikuar të kryente një kontroll mjekësor sapo të mbërrinte në Angli, ndërsa pjesa tjetër e familjes do t’u bashkohej atyre më vonë me avion.

Gonçalves ka konfirmuar gjithashtu se kishte punuar intensivisht me Jotën çdo ditë, nga e shtuna deri të mërkurën, si pjesë e programit të tij të rikuperimit pas një pneumotoraksi (shpimi i mushkërisë). Ai ka theksuar progresin e shkëlqyer të futbollistit. “Ai u shërua jashtëzakonisht mirë – ishte pa dyshim një profesionist i pakrahasueshëm. Ndiqte çdo udhëzim me përpikëri. Kur u ndamë, ai ishte pa dhimbje dhe entuziast për sezonin e ri,” – ka treguar Gonçalves, duke nënvizuar dedikimin e Jotës.

Më tej, fisioterapisti ka shtuar se Jota kishte marrë vendimin të mos merrte pjesë në turneun para-sezonal të Liverpool-it në Japoni, me qëllim që të fokusohej maksimalisht në rikuperimin e tij, duke besuar se do të rikthehej në fushë në formën më të mirë të mundshme.

“Për mua, Diogo ishte më shumë sesa një sportist – ishte një njeri i jashtëzakonshëm,” – ka përfunduar Gonçalves intervistën e tij me emocione të forta, duke treguar vlerësimin e madh që kishte për futbollistin e ndjerë.

Exit mobile version