Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka marrë vendimin përfundimtar për t’u tërhequr nga koalicioni qeverisës dhe për të kaluar në opozitë. Ky vendim u bë publik pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së partisë, ku drejtuesit e ASH-së unanimisht miratuan largimin nga Qeveria.
Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, deklaroi se pas një debati të gjatë, partia ka vendosur t’u kthehet qytetarëve dhe të përgatitet për zgjedhjet lokale të nëntorit. Ai pranoi se ndryshimi që u premtua qytetarëve nuk u realizua, duke theksuar se bashkëqeverisja ishte më shumë një zëvendësim sesa një transformim i vërtetë.
“Kur mungon besimi dhe kur shfaqen teori konspirative në koalicion, nuk mund të jemi pjesë e kësaj. I kërkojmë ndjesë qytetarëve për gabimet tona, por tani jemi të përgatitur për një fitore të madhe në zgjedhjet lokale,” tha Taravari.
Ai përmendi si arsye të tjera për largimin edhe dështimin për të miratuar ligjin për përfaqësim të drejtë, margjinalizimin e shqiptarëve në administratë dhe punësimet disproporcionale në favor të maqedonasve. Taravari theksoi se vendimi për largim nga qeveria ishte i koordinuar dhe i qëndrueshëm, dhe se funksionarët e ASH-së janë në dorëheqje dhe do të largohen sapo të emërohen pasuesit e tyre.
. Ai mohoi zërat për marrëveshje me BDI-në dhe i cilësoi ato si teori konspirative.
Ndërkohë, pesë deputetët e ASH-së do të funksionojnë si një grup parlamentar i pavarur, duke e lënë koalicionin VLEN me vetëm 9 deputetë.
Ky vendim ishte i paralajmëruar prej kohësh, duke marrë parasysh edhe përplasjet e fundit me partnerët e VLEN dhe qëndrimet e shprehura nga kryeministri Mickoski, i cili dje i uroi fat Taravarit.