Telekomi i Kosovës edhe këtë vit ka vazhduar programin e largimit vullnetar nga puna në kuadër të përpjekjeve për rritjen e efikasitetit operacional, optimizimin e shpenzimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjes.
Sipas një komunikate për media gjatë këtij viti janë pranuar 95 aplikime për ndërprerjen vullnetare të marrëdhënies së punës me kompensim financiar.
Kostoja e vlerësues e këtyre largimeve sipas komunikatës është vlerësuar në një shumë prej rreth 2 milionë eurove.
Në komunikatë thuhet se synimi mbetet reduktimi afatgjatë i shpenzimeve operative, duke ruajtur funksionalitetin e ndërmarrjes dhe cilësinë e shërbimeve.
Kjo politikë u pat aplikuar edhe në vitin 2022 dhe sipas Telekomit efektet e saj tashmë janë të matshme.
“Në vitin 2022, nga programi i parë i largimit vullnetar përfituan 302 punonjës, me një kosto prej rreth 6 milionë eurosh. Deri më tani, nga ky program janë kursyer rreth 13 milionë euro në shpenzimet për paga, duke rezultuar në një efekt financiar neto pozitiv prej rreth 7 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se programet e largimit vullnetar nuk janë zbatuar si e drejtë automatike e çdo aplikuesi. “Shqyrtimi i kërkesave është bërë duke marrë parasysh nevojat operative të ndërmarrjes dhe mundësinë e mbulimit të funksioneve përkatëse me kapacitetet ekzistuese”, thuhet në njoftim.

