Kosovë Lajme

Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve për “pengim të drejtësisë”

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur të mbahet seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, për veprën “pengim i drejtësisë”.

    Seanca ka nisur në orën 10:00.

    Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.

    Në aktakuzë pretendohet se, gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.

    Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.

    Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërkaq, ndaj Smakajt, Kilajt dhe Fazliut janë ngritur nga dy akuza secilit, ndërsa ndaj Kuçit dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Në kuadër të kërkesës për dënim, Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim. Ajo ka kërkuar gjithashtu që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.
    Për të bashkakuzuarit e tjerë është kërkuar dënim më i vogël: nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Fadil Fazliun, kurse nëntë muaj për Hajredin Kuçin.

    Sipas Prokurorisë, veprimet e Thaçit për të ndikuar në dëshmitarë për rastin kryesor ku ai bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin akuzoheshin për krime lufte e krime kundër njerëzimit, dëshmohen nga 28 incizime prej nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë një periudhe katërmujore.

    Më 16 shtator të këtij viti, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim në rastin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka filluar seance e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit në rastin në të cilin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell gjatë shqiptimit të përmbledhjes së aktgjykimit tha se Thaçi, Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Kuçi akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik në kuadër të një çështje tjetër gjyqësore në të cilën Thaçi ishte i pandehur.

    Sipas Gosnell, Thaçi pretendohet se organizoi tri grupe me Fazliun, Smakajn dhe Kilajn gjatë vizitave të këtyre të fundit në Hagë gjatë 2023-ës.

    “Thuhet se secili prej grupeve do të përcillte udhëzime nga një dëshmitari, ndërsa për Thaçin ndër tjerash thuhet se shpalosi informacionin konfidencial për vizitorët e tij, kështu duke shkelur fshehtësinë e gjykatës”, tha Gosnell.