Sport

Superndeshje për Superkupë – festa për Bashkimin

    (22:15) – Bashkimi i ka dhënë fund dominimit të Trepçës në garat e basketbollit kosovar.

    Bashkimi të martën mbrëma ka fituar Superkupën e Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Trepçën në “Mizahir Isma” në Rahovec me rezultat 103:93.

    Ndeshja është vendosur vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave. Por sekondat e fundit të kohës së rregullt ishin dramë e vërtetë. Nëntë sekonda para fundit, kur rezultati ishte 84:84, Mikaile Tmushiq dështoi të shënojë për tri pikë. Në anën tjetër, Shanon Shorter shënoi thuajse nga gjysma e fushës për 87:84 në të mirë të Bashkimit. Prizrenasit nisën festën, por ishte herët. Trepça e kishte edhe aksionin e fundit, përkatësisht 1.6 sekonda.

    Drilon Hajrizi pasoi për Dardan Kapitin që gjuajti nga gjysma e fushës. Dhe shënoi për 87:87. Kështu ndeshja shkoi në kohën shtesë. Kishte tension pa nisur koha shtesë, ndërsa trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq u përjashtua për reagim ndaj arbitrave.

    Në pesë minutat shtesë prizrenasit shfaqën dukshëm më tepër për të siguruar Superkupën e parë. Vazhdimi përfundoi 16:6 për Bashkimin.

    Trepça ka mbledhur trofetë e basketbollit kosovar në vitet e fundit. Ka tre tituj rresht, pesë Kupa rresht dhe deri të martën i kishte edhe dy Superkupa rresht. Për Bashkimin është trofeu i parë që nga viti 2018, kur u shpall kampion.

    Ndeshja për Superkupë u ndërpre për gati një orë në fund të çerekut të dytë. Për shkak të hedhjeve të mjeteve plasëse në parket, arbitrat ndërprenë ndeshjen. Ajo vazhdoi vetëm pasi u larguan tifozët nga tribunat. Në sallë mbetën qindra shikues, të vendosur në ulëset në parket dhe pas koshave.

    Shanon Shorter ishte më i miri te Bashkimi me 23 pikë, 13 kërcime e katër asistime. Adrio Bailey i kishte 23 pikë e 11 kërcime. Lejson Zeqiri po ashtu kishte ndeshje të madhe me 18 pikë e 13 kërcime.

    Te Trepça më i miri ishte Jacory Payne me 22 pikë e tetë asistime. Matt Mobbley i realizoi 21 pikë. Tani Bashkimi e Trepça vazhdojnë garën për trofetë e tjerë. Po ashtu do të paraqiten në gara evropiane.

    Superfinalja e Superkupës shkon në vazhdime mes tensioneve

    (22:00) – Superkupa e Kosovës do të vendoset pas vazhdimit prej pesë minutash.

    Dardan Kapiti shënoi në sekondën e fundit për 87:87. Trepça kishte vetëm 1.1 sekondë për aksionin e fundit. Dhe Kapiti realizoi nga gjysma e fushës.

    Shanon Shorter shënoi po ashtu treshe për epërsinë 87:84 të Bashkimit.

    Tensione të tjera në Rahovec

    Nuk kanë të ndalur tensionet në ndeshjen e Superkupës mes Trepçës e Bashkimit. Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq është përjashtuar para fillimit të vazhdimit.

    Vazhdon ndeshja për Superkupë

    (20:46) – Pas ndërprerjes prej afro një ore, ka vazhduar ndeshja për Superkupë mes Trepçës e Bashkimit. Nga palestra janë larguar tifozët. Kanë mbetur dhjetëta shikues në ulëset për mysafirë.

    Tifozët largohen, basketbollistët kthehen në parket

    (20:38) – Tifogrupet “Torcida” dhe “Arpagjikët” janë larguar nga palestra “Mizahir Isma”.

    Ndërkohë, lojtarët e Bashkimit dhe Trepçës janë kthyer në parket për të vazhduar ndeshjen e Superkupës së Kosovës në basketboll.

    Ndeshja u ndërpre, kur kishin mbetur dy minuta drejt fundit të pjesës së parë.

    Mitrovicasit janë duke e fituar ndeshjen 42:35.

    Ndërpritet ndeshja e Superkupës në basketboll, nis zbrazja e tribunave

    (20:20) – Ka nisur zbrazja e tribunave në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Të parët që janë larguar nga palestra janë tifo-grupi në përkrahje të Trepçës, “Torcida”.

    Më pas do të largohet edhe tifo-grupi “Arpagjikët” e Bashkimit për të vazhduar ndeshja e Superkupës së Kosovës në basketboll.

    Ndeshja e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës është ndërprerë, kur kishin mbetur dy minuta drejt fundit të pjesës së parë.

    Mitrovicasit janë duke e fituar ndeshjen 42:35.

    (20:04) – Ndeshja e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës është ndërprerë, kur kishin mbetur dy minuta drejt fundit të pjesës së parë.

    Superkupa është duke u zhvilluar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Palestra është mbuluar nga tymi për shkak të ndezjeve të fishekzjarrëve.

    Të dyja tifozërit janë të pranishme në palestër, ndërsa basketbollistët janë larguar për në dhomat e zhveshjes.

    Mitrovicasit janë duke e fituar ndeshjen 42:35.