Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka bërë të ditur se Drejtoria e Doganave po kalon përmes një transformimi të rëndësishëm digjital, me fokus në modernizimin e procedurave, rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e punës për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
Dauti ka theksuar se me implementimin e Fazës së 6 të Sistemit të Ri të Kompjuterizuar për Tranzit është bërë një hap i rëndësishëm drejt harmonizimit të procedurave doganore me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, sistemi mundëson paraqitjen e një deklarate të vetme tranziti së bashku me njoftimet e sigurisë, duke synuar lehtësimin e tregtisë, rritjen e sigurisë dhe reduktimin e vonesave në pikat kufitare.
Një tjetër element i rëndësishëm është Sistemi i Menaxhimit të Rrezikut, i cili përmes analizës së të dhënave ndihmon në identifikimin më të saktë të rasteve me rrezik dhe në realizimin e kontrolleve më të fokusuara.
Dauti ka përmendur edhe Sistemin e Menaxhimit të Kontrolleve dhe Hetimeve, i cili synon menaxhimin elektronik të aktiviteteve të kontrollit, hetimeve dhe inteligjencës, si dhe përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe integrimin e proceseve.
Në kuadër të këtij transformimi janë edhe “Smart Borders – Kufijtë Inteligjentë”, përmes të cilëve teknologjia do të shtrihet drejtpërdrejt në terminalet kufitare. Projekti parasheh përdorimin e rampave dhe peshoreve digjitale, kamerave analitike dhe sistemeve për njohjen automatike të targave.
Sipas Dautit, këto zhvillime synojnë krijimin e një Dogane më moderne, më të shpejtë, më efikase dhe më transparente, të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

