Shqipëri

Protesta e 105-të, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit në shesh/ Diaspora i bashkohet qëndresës kundër Ramës

    Protesta kundër qeverisë Rama hyn sot në ditën e 105-të, me qytetarët që rikthehen në shesh dhe me një pjesëmarrje masive të diasporës shqiptare.

    Tubimi kombëtar është paralajmëruar për orën 19:30 përpara Kryeministrisë, ndërsa krahas qytetarëve nga Tirana dhe qytete të ndryshme të vendit, në protestë pritet të marrin pjesë edhe shumë shqiptarë nga diaspora.

    Pjesëmarrja e emigrantëve merr një peshë të veçantë në protestën e sotme, pasi prej ditësh shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë kanë deklaruar mbështetjen për protestat dhe një pjesë e tyre janë nisur drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar tubimeve.

    Madje, një ditë më parë, një grup shqiptarësh që udhëtonin nga vende të ndryshme të botës drejt Shqipërisë për protestë u përballën me një pengesë në Nikshiq të Malit të Zi, ku autoritetet vendase i bllokuan dhe nuk i lejuan të vijonin rrugëtimin.

    Ngjarja ka shtuar reagimet dhe pritet të jetë një nga çështjet që do të artikulohet edhe në protestën e sotme, teksa organizatorët kërkojnë që qëndresa të vijojë pavarësisht presioneve dhe pengesave.

    Me protestën e 105-të, rekord histori në Shqipër, lëvizja qytetare tregon se kundërshtimi ndaj qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama është e panegociushme.