Kosovë Lajme

Hoti fton konventë të LDK-së: Ta përcaktojë ekipin udhëheqës për zgjedhjet e ardhshme

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se partia të cilës i takon ka nevojë urgjente për konventë të madhe.

    Sipas tij, në këtë konventë duhet të mblidhen strukturat në mënyrë që të përcaktohet ekipi që do ta udhëheqë LDK-në “drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”.

    “LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara. Në këtë KONVENTË duhet të mblidhen të gjitha strukturat dhe i gjithë potenciali i LDK-së: anëtarët e Kuvendit Qendror të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Grupi Parlamentar, Kryetarët e Degëve, Kryesitë e Degëve, Anëtarët e LDK-së në Kuvendet Komunale, Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor. KONVENTA duhet të jetë një BASHKIM i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Hoti më tej ka thënë se kjo konventë duhet ta rivendosë besimin e brendshëm.

    “Mbi të gjitha, KONVENTA duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore. Unë angazhohem për këtë KONVENTË të PAJTIMIT të madh. Vetëm një LDK e bashkuar mund të fitojë besimin e qytetarëve. PAJTIM – BASHKIM – BESIM – FITORE”, ka shtuar ai.