Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim bilateral me Drejtorinë dhe drejtues të tjerë të Doganës së Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.
Në takim, vëmendje e veçantë i është kushtuar funksionimit të One Stop Shop në Bllacë–Hani i Elezit, me synim koordinimin më të mirë dhe shkëmbimin e shpejtë të të dhënave për lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve.
Gjithashtu, është diskutuar për digjitalizimin e proceseve doganore, përafrimin me standardet e BE-së dhe forcimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.
Dauti theksoi se bashkëpunimi i mirë matet me rezultate konkrete në terren, duke nënvizuar si drejtim të përbashkët: më shumë koordinim, më pak pritje dhe kufij më të sigurt.




