Vizita e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në fshatrat serbe të Luginës së Preshevës nuk është thjeshtë një vizitë, por një mesazh i qartë politik.
Përmes një reagimi publik nga Tupalla e Medvegjës, veprimtari i çështjes kombëtare Muharrem Salihu ka ngritur alarmin se kjo qasje përfaqëson një politikë të hapur selektive dhe se Medvegja po përdoret si “bankë-prove” për fshirjen administrative të shqiptarëve.
Salihu vë në dukje se gjatë vizitave të tij në jug të Serbisë, kreu i shtetit serb ka anashkaluar tërësisht fshatrat e banuara me shqiptarë, duke vizituar vetëm lokalitetet serbe.
Kjo sjellje institucionale shoqërohet me heshtjen e partive rajonale, të cilat sipas tij reagojnë vetëm kur problemi bëhet i pamundur për t’u injoruar.
Mesazhet kryesore të veprimtarit Muharrem Salihu:
Politika selektive: Vizitat e njëanshme në fshatrat serbe tregojnë se shteti sillet administrativisht sikur shqiptarët nuk ekzistojnë.
Kthimi i adresave si prioritet absolut: Rivendosja e adresave të pasivizuara nuk është kërkesë dytësore, por pika e parë për çdo barazi reale dhe të drejtë të sigurt.
Medvegja si sprovë kombëtare: Në Medvegjë provohet nëse të drejtat e shqiptarëve në Serbi janë një parim i panegociueshëm apo thjesht një deklaratë politike.
“Vetëm se ne në Medvegjë e kemi parë këtë film më herët. Dhe jo vetëm një herë. Prandaj Medvegja nuk duhet të jetë më periferia e vëmendjes shqiptare,” thekson Salihu në reagimin e tij.

