Botë Lajme

Memorandumi me SHBA-në është rruga më e mirë për të dalë nga lufta, thotë presidenti iranian

    Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka mbrojtur memorandumin e mirëkuptimit të arritur në qershor mes SHBA-së dhe Irani, duke e cilësuar atë si mënyrën më të mirë që vendi të dalë nga ajo që ai e ka përshkruar si një situatë “as luftë, as paqe”.

    Në një fjalim të publikuar nga agjencia shtetërore IRNA të dielën, ai ka thënë se anëtarët e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit besonin se memorandumi përfaqësonte marrëveshjen më të mirë të mundshme, të bazuar në atë që ai e ka përshkruar si dinjitet, urtësi dhe interes kombëtar.

    “Shikoni dispozitat e memorandumit, nuk do të gjeni asnjë pikë të vetme në të cilën ne jemi tërhequr apo jemi dorëzuar”, ka thënë Pezeshkian.

    Marrëveshja, e njohur si Memorandumi i Mirëkuptimit, të cilin presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar në qershor, përcaktonte një afat ambicioz prej 60 ditësh për përfundimin e luftës me Iranin dhe arritjen e një marrëveshjeje për programin e tij bërthamor.

    Ky afat ka përfunduar javën e kaluar, por të dyja palët kanë mbetur shumë larg njëra-tjetrës, pa shenja kompromisi për çështjen thelbësore të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit e cila është jetike për transportin detar global.

    Ndërsa ka theksuar se Teherani zyrtar nuk kishte ndërmend të tërhiqej përballë kundërshtarëve të tij, Pezeshkian e ka lidhur gjithashtu marrëveshjen me perspektivat ekonomike të Iranit, duke thënë se vendi nuk mund të tërhiqte investime në këtë fazë të bllokuar.

    “Kapitali dhe paratë janë gjërat më të ndjeshme jo njerëzore që ekzistojnë”, ka thënë ai. “Ne duhet ta largojmë këtë rrezik nga vendi”, ka shtuar.

    Gati gjashtë muaj pas fillimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ekonomia iraniane po vuan nën peshën e sanksioneve dhe një bllokade detare, e cila po e bën jashtëzakonisht të vështirë për vendin eksportimin e naftës, produktit të tij më të vlefshëm.