“NATO deklaron se është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e aleatëve të saj, pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë në rast të përshkallëzimit të konfliktit nga administrata e Donald Trump.
Reagimi i aleancës erdhi pas një raportimi të Financial Times, sipas të cilit Teherani ka vlerësuar skenarë për goditje ndaj instalimeve ushtarake amerikane në territorin evropian, përfshirë Evropën Juglindore.
I pyetur nga mediat e huaja për këto raportime, një zyrtar i NATO-s tha se aleanca disponon kapacitete të fuqishme mbrojtëse dhe parandaluese.
NATO është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim dhe gjithmonë do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, deklaroi zyrtari.
Zyrtari i aleancës iu referua edhe operacioneve të mbrojtjes ajrore në fillim të vitit 2026, duke thënë se raketat balistike të lëshuara nga Irani drejt Turqisë u interceptuan në katër raste të veçanta.
Sipas tij, këto raste tregojnë se kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse të NATO-s janë funksionale dhe efektive përballë kërcënimeve të tilla.
Çfarë raportoi Financial Times?
Sipas burimeve të cituara nga “Financial Times”, autoritetet iraniane kanë diskutuar mundësinë e zgjerimit të konfliktit përtej Lindjes së Mesme nëse SHBA-ja ndërmerr hapa të rinj ushtarakë.
Dy persona me dijeni për diskutimet i thanë gazetës se forcat iraniane kanë shqyrtuar skenarë për sulme ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Evropën Juglindore, përfshirë Bullgarinë.
Raportimi përmend gjithashtu Qipron si një objektiv të mundshëm. Në ishull ndodhen bazat britanike në Akrotiri, ku në mars ishte raportuar një sulm me dron.
Sipas të njëjtave burime, ushtria iraniane ka shqyrtuar veçmas edhe mundësinë e goditjes së kabllove nënujore të komunikimit në zonën e Ngushticës së Hormuzit, në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Pavarësisht raportimeve, deri tani nuk ka të dhëna se Irani ka marrë vendim përfundimtar për të kryer sulme ndaj objektivave amerikane në Evropë.
NATO, ndërkohë, sinjalizon se çdo sulm ndaj territorit apo forcave të aleatëve do të përballej me kapacitetet mbrojtëse të aleancës.

