Kosovë Lajme

Kurti njofton hapat e ndërmarrë në takimin me LDK-në: Kemi mirëbesim dhe vullnet

    Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit.

    Kurti tha se është optimist pas këtij takimi, meqë sot u zhvilluan bisedime shumë serioze, transmeton IndeksOnline.

    “Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re, nga shumë kënde dhe disa rrafshe. Por, në veçanti, sa i përket vlerave dhe kontributeve në shoqëri, për kombin mbarë.

    Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm. Edhe pas këtij takimi, kemi nevojë të kthehemi te subjektet tona përkatëse politike, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultime të brendshme e të ritakohemi, ashtu që të merremi vesh. Besoj që mirëbesimi që kemi dhe vullneti i qartë për të arritur marrëveshje, duhet të na bëjnë optimistë” tha Kurti.

    Ai tha se nuk është folur për ndonjë emër të përveçëm, por vetëm për standardet që presidenti/ja duhet të ketë.

    “Nuk janë në radhë të parë interesat e ngushta e as ambiciet, por kemi vullnet dhe përgjegjësi shtetërore” tha Kurti.