Rajon

Vuçiq kërcënon me ndryshimin e rrjedhës së Ibërit, përmend “terrorin” ndaj serbëve në veri

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke e lidhur këtë me siç tha ai, trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë.

    “Ne tashmë kemi ftuar ekspertë që merren me këtë çështje, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë. Kur po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibërit dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, tha Vuçiq gjatë një vizite në punimet për urën e vjetër hekurudhore në Beograd.

    Vuçiq tha se Serbia është shtet sovran dhe se do të veprojë në përputhje me interesat e saj, raporton IndeksOnline.

    “Ne jemi shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtilla, ndonjëherë të tjera dhe në përputhje me to do të sillemi”, tha ai.

    Duke folur për situatën e serbëve në Kosovë, Vuçiq tha se ata, sipas tij, po përballen me kushte shumë të vështira dhe se Serbia po ndjek nga afër zhvillimet.

    Ai gjithashtu tha se Serbia nuk e konsideron aktualisht luftën me NATO-n si opsion.

    “Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyesni popullin tonë në Kosovë se kë e shohin si mbrojtësin e vetëm. Unë i shoh mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Është shumë e vështirë. Por, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Mendoj se nuk është”, tha Vuçiq.