Irani ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me Omanin për një itinerar të ri të transportit detar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, nuk ka dhënë detaje të tjera mbi marrëveshjen, për të cilën ka thënë se ndodhet “në fazën përfundimtare”.
Megjithatë, Baqaei ka paralajmëruar se një marrëveshje me Omanin nuk garanton lundrim të sigurt nëpër ngushticë, duke argumentuar se siguria vazhdon të ndikohet nga bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane. Shtetet e Bashkuara dhe Omani nuk kanë komentuar mbi këtë propozim.
Që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin në muajin shkurt, Teherani zyrtar ka bllokuar në masë të madhe Ngushticën e Hormuzit, rrugë detare përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.
Të martën, presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se Irani do të “goditet shumë rëndë” nëse ngushtica nuk hapet “shumë shpejt”.
Komentet e tij erdhën pasi zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se bisedimet kishin përparuar dhe mund të mundësonin rifillimin e transportit detar më vonë gjatë kësaj jave.
Megjithatë, Irani ka këmbëngulur se nuk po zhvillon negociata me SHBA-në dhe nuk ka plane ta bëjë këtë.
Në deklaratën e tij, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane ka thënë se “koordinatat gjeografike të itinerarit” janë dakordësuar me Omanin.
“Faktorët që e bëjnë të pasigurt Ngushticën e Hormuzit nga ana e Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të ekzistojnë, veçanërisht bllokada detare dhe veprimet e tjera agresive e kërcënuese kundër Iranit dhe interesave të tij”, ka thënë ai, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA.

