Kosovë Lajme

KPMSHCK-ja rrëzon vendimin e Donika Gërvallës për tërheqjen e diplomatit nga misioni në Kroaci

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka aprovuar ankesën e një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe ka anuluar vendimin e kësaj ministrie për tërheqjen e tij nga misioni diplomatik.
    Vendimi i KPMSJCK-së lidhet me një akt të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Donika Gërvalla-Schwarz.

    Sipas vendimit të publikuar nga KPMSHCK-ja, ankuesi kishte kërkuar anulimin e vendimit të MPJD-së, duke pretenduar se ai ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe pa u respektuar procedurat e parapara.

    Nga provat e administruara rezulton se ankuesi, me aktemërim të 1 gushtit 2024, mbante pozitën e zyrtarit të lartë për emigracion në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Më pas, me vendim të ministres të datës 25 shkurt 2025, ai ishte caktuar të shërbente në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb – Kroaci me mandat katërvjeçar, ndërsa detyrën e kishte marrë më 1 maj 2025.

    Megjithatë, më 22 janar 2026, MPJD-ja kishte marrë vendim për tërheqjen e tij nga misioni diplomatik, duke e caktuar që të paraqitej në ministri më 3 shkurt 2026.

    Në ankesën e tij, zyrtari kishte argumentuar se vendimi ishte nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme, pa respektuar ligjin për zyrtarët publikë dhe ligjin për shërbimin e jashtëm, duke theksuar se në asnjërën prej këtyre dispozitave nuk parashihet se ministri mund të tërheqë një zyrtar nga misioni diplomatik sipas diskrecionit të tij.

    Pas shqyrtimit të provave, KPMSHCK-ja ka konstatuar se ankesa është e bazuar, pasi çështja nuk ishte shqyrtuar në mënyrë të plotë procedurale. Për këtë arsye, Këshilli ka aprovuar ankesën, ka anuluar vendimin e MPJD-së dhe e ka kthyer lëndën për rishqyrtim dhe rivendosje tek organi i njëjtë.

    Sipas vendimit, MPJD-ja obligohet që brenda 15-ditësh nga pranimi i aktit ta shqyrtojë sërish rastin dhe të nxjerrë një vendim të ri, duke marrë parasysh arsyetimin dhe konstatimet e KPMSHCK-së.

    Rasti lidhet me periudhën kur Donika Gërvalla-Schwarz ishte ministre e MPJD-së, ndërsa vendimi i KPMShCK-së paraqet një ndërhyrje të këtij institucioni mbikëqyrës ndaj një vendimi administrativ të marrë nga ministria.

    KPMShCK është organ i pavarur që shqyrton ankesat e nëpunësve civilë ndaj vendimeve të institucioneve publike dhe siguron mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave të shërbimit civil në Kosovë.