Sport

Kosova debuton në Kampionatin Evropian Ekipor të Golfit

    Sot nis gara e European Team Shield Championship – Malta 2026, kampionati evropian ekipor i golfit që organizohet nën ombrellën e European Golf Association (EGA), ku Kosova do të shënojë pjesëmarrjen e saj të parë në histori.

    Para fillimit të garës janë zhvilluar ushtrimet zyrtare, ndërsa ekipi i Kosovës përbëhet nga Albin Arifi, Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Qëndrim Alija, nën drejtimin e kapitenit Arif Arifi.

    Në mesin e përfaqësuesve të Kosovës është edhe Mërgim Gjinovci nga Skenderaj, kampion i trefishtë i Kosovës në golf, i cili do të synojë një paraqitje sa më të suksesshme në këtë kampionat, ku marrin pjesë gjithsej 14 shtete.

    Federata e Golfit e Kosovës bëri të ditur se pjesëmarrja historike e ekipit është mundësuar me mbështetjen e sponsorit të artë Sent.dm, si dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Ky paraqet një tjetër hap të rëndësishëm për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.