Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar pasi, sipas tij, një fragment nga një intervistë e dhënë disa ditë më parë është shkëputur nga konteksti dhe është interpretuar si një kompliment ndaj VMRO-DPMNE-së.
Në reagimin e tij, Qoku sqaron se deklarata ku thotë se VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fuqishme” nuk kishte për qëllim të lavdëronte partinë në pushtet, por të shpjegonte arsyet që, sipas tij, çuan në forcimin e saj politik.
Ai shtron pyetjen se çfarë e bëri VMRO-DPMNE-në kaq të fuqishme, duke përmendur rezultatin me 59 deputetë, ndikimin mbi një pjesë të deputetëve të LSDM-së dhe mbështetjen që, sipas tij, ka marrë nga BDI-ja në momente kyçe, si miratimi i Ligjit për riorganizimin e Qeverisë.
Sipas Qokut, fuqizimi i VMRO-DPMNE-së nuk erdhi vetëm si rezultat i meritave të saj, por ishte pasojë e qeverisjes shumëvjeçare të BDI-së dhe LSDM-së. Ai akuzon ish-qeverisjen për korrupsion të përhapur, degradim të institucioneve, kapje të administratës dhe gjyqësorit, ndryshime në Kodin Penal për të shmangur përgjegjësinë penale, si dhe për dështime në zbardhjen e tragjedive si Spitali Modular, “Besa Trans” dhe “Durmo Tours”.
Në reagim, Qoku përmend edhe vlerësimet e ish-ambasadores amerikane Angela Aggeler për korrupsionin, si dhe kritikon, sipas tij, normalizimin e pandëshkueshmërisë, keqpërdorimin e fondeve publike dhe rënien e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
“Prandaj, kur them se VMRO-DPMNE është sot ‘tmerrësisht e fuqishme’, nuk po i bëj kompliment. Po përshkruaj pasojën politike të një sistemi të kalbur, të ndërtuar për vite me radhë”, thekson Qoku.
Në fund të reagimit, ai vlerëson se, në vend të reflektimit dhe kërkimfaljes për këto zhvillime, drejtuesit e BDI-së vazhdojnë të mburren me qeverisjen e tyre, gjë që, sipas tij, rrezikon ta mbajë vendin peng edhe në të ardhmen.
Maqedoni
Qoku: Fuqia e VMRO-DPMNE-së është pasojë e keqqeverisjes së BDI-së dhe talljes me shtetin dhe qytetarët e tij
- nga gazetar2
- 24/07/2026
- 1 minute read
- 1 hour ago

