Kosovë Lajme

Haliti flet për ndikimin e partive të tjera në LDK: Nuk jemi parti e re me na mashtru kushdo që çohet në mëngjes

    Sekretari për mërgatë në Lidhjen Demokratike, Sokol Haliti ka mohuar se nisma për kuvend të jashtëzakonshme dhe shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku ka ardhur nga partitë e tjera.

    Ai ka mohuar se klane nga PDK-ja e LDK-ja kanë ndikim në këtë parti.

    “LDK-ja nuk është e re në politikë, sa që kush të qohet në mëngjes me mashtrua ose me pengu ose me orientuar me filozofi politike. Filozofinë politike, LDK-ja e ka të qartë, rugoviste, perëndimore. S’ka politika të LVV-së apo të PDK-së”, ka thënë ai në Tëvë1.

    Sa i përket nismës për Kuvend të jashtëzakonshëm ai ka thënë se kjo nismë është respektuar nga partia dhe kryetari i saj.

    Haliti ka shprehur besimin se Abdixhiku do të merr mbështetjen edhe në këtë kuvend.

    “Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është legal dhe legjitim dhe besoj që e merr mbështetjen përsëri”, është shprehur ai.

    Eksponentë të LVV-së kanë akuzuar se nisma për shkarkimin e Abdixhikut në kohën kur nisën bisedimet për formimin e institucioneve është bërë nga njerëz të PDK-së me ndikim në LDK.

    Nga LDK-ja kanë bërë të ditur se ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve për kuvendin e jashtëzakonshëm.

    Sipas kësaj partie ky kuvend pritet të mbahet para 7 gushtit, kur është afati i fundit për formimin e institucioneve.