Kosovë Lajme

Muja mobilizon ekipet për rikuperimin e prodhimit bujqësor në Istog

    Me kërkesë të Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ekipet profesionale të Institutit Bujqësor të Kosovës (IBK) dhe Departamentit të Shërbimeve Këshilluese dhe Teknike (DSHKT), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Bujqësi në Komunën e Istogut, kanë vazhduar punën në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga breshëri, nevojat për ndërhyrje urgjente dhe masat agronomike që duhet të ndërmerren për ruajtjen dhe rikuperimin e prodhimit bujqësor.

    Vlerësimet janë të përqendruara në identifikimin e masave për ruajtjen dhe rikuperimin e kulturave shumëvjeçare, si dhe në përcaktimin e nevojave për rimbjelljen e kulturave të dëmtuara. Ndërhyrjet agronomike dhe fitosanitare në ditët e para pas breshërit janë vendimtare për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme, për të zvogëluar rrezikun nga sëmundjet dhe për të rritur mundësinë e rikuperimit të prodhimit.

    Rekomandimet profesionale do t’u përcillen fermerëve menjëherë pas përfundimit të vlerësimeve në terren.

    Për koordinimin e përgjigjes institucionale, Ministri Muja ka themeluar Shtabin për Menaxhimin e Situatës, i cili po bashkërendon veprimet ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.

    Njëkohësisht, Ministri ka udhëzuar përgatitjen dhe zbatimin e një programi të konsoliduar masash për rikuperimin e prodhimit bujqësor, i cili përfshin ndërhyrjet e menjëhershme agronomike dhe fitosanitare, mbështetjen për rimbjelljen e kulturave të dëmtuara, si dhe masat parandaluese për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor ndaj ndryshimeve klimatike.

    “Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është duke zhvilluar një program të integruar për menaxhimin e rrezikut në bujqësi, i cili përfshin pilotimin e skemës së sigurimeve bujqësore, zgjerimin e mbështetjes për investime në rrjeta mbrojtëse kundër breshrit, zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për fermerët, forcimin e rolit të Institutit Bujqësor të Kosovës dhe të shërbimeve këshilluese në terren, si dhe orientimin e skemave të mbështetjes drejt investimeve që rrisin qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor dhe ndihmojnë fermerët të rikuperohen më shpejt pas fatkeqësive natyrore”, thuhet në njoftimin e MBPZHR-së.