Botë Lajme

SHBA-ja tërheq komplet forcat e saj nga Iraku në shtator

    Ushtria amerikane do të largohet nga Iraku deri në fund të shtatorit, kanë thënë zyrtarë amerikanë dhe irakianë. Ky veprim vjen pas një prezence 23-vjeçare që nisi me operacionin e vitit 2003 kundër Saddam Husseinit dhe që përfundoi me operacione më të vogla kundër grupit të Shtetit Islamik.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, krah kryeministrit irakian Ali al-Zaidi në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se “nuk mendojmë se duhet ushtria atje më”.

    “Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie e fortë ku nuk na duhet më ushtria. Ne jemi atje për t’iu ndihmuar atyre. Jemi atje për t’i mbrojtur nëse ka nevojë. Por ne nuk mendojmë se do të jetë e nevojshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa al-Zaidi theksoi se “forcat amerikane do të jenë jashtë Irakut deri më 30 shtator” derisa “kompanitë amerikane do të jenë brenda Irakut”, raportoi AP.

    Pentagoni në një deklaratë të njëjtë riafirmoi marrëveshjen e vitit 2024 me Irakun për ta përfunduar misionin kundër luftëtarëve të IS-it. Shumica e trupave amerikane që shërbenin ende në kohën e marrëveshjes tashmë janë larguar.

    Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi janë munduar ta largojnë barrën e luftës kundër IS-it në Irak nga forcat amerikane te trupat irakiane të stërvitura nga ushtria amerikane.

    SHBA-ja u fut në Irak në mars 2003 me një fushatë bombarduese e cila i hapi më pas rrugë forcave tokësore amerikane të mblidheshin në Bagdad. Pushtimi u bazua në ato që rezultuan të ishin pretendime të gabuara se Saddam Husseini kishte fshehur armë të shkatërrimit në masë. Armë të tilla nuk u gjetën kurrë.