Maqedoni

Mustafa Dauti: BDI dështoi në protestën kundër dështimeve të veta, VLEN po sjell zgjidhje konkrete

    Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut dhe funksionar i lartë i VLEN-it, Mustafa Dauti, ka reaguar pas protestës së fundit të BDI-së në Tetovë, duke vlerësuar se kjo protestë dëshmoi humbjen e besimit të qytetarëve ndaj partisë që për më shumë se dy dekada ishte në pushtet.

    Sipas Dautit, BDI-ja po proteston për pasojat e keqqeverisjes së saj, ndërsa qytetarët, siç shprehet ai, e kanë ndëshkuar fillimisht në zgjedhje dhe tani po e refuzojnë edhe në protesta.

    Ai thekson se shumë prej çështjeve për të cilat BDI proteston sot janë probleme të krijuara gjatë qeverisjes së saj 22-vjeçare, duke përmendur edhe çështjen e studentëve, për të cilën, sipas tij, përgjegjësia institucionale e qeverisjes së re po sjell zgjidhje përfundimtare.

    Dauti shprehet se VLEN po dëshmon me punë dallimin nga qeverisja e kaluar, duke theksuar investimet në komuna, përmirësimin e infrastrukturës, gjelbërimin dhe realizimin e projekteve në interes të qytetarëve. Ai nënvizon gjithashtu se çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë do të zgjidhet në përputhje me ligjin, në mënyrë që emrat në gjuhën shqipe të mos mund të kontestohen më në të ardhmen.

    Në përfundim, Dauti thekson se VLEN përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se koalicioni synon të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme, me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në dallim nga, siç e cilëson ai, qeverisja e mëparshme e BDI-së.