Kosovë Lajme

Haradinaj shpërthen ndaj Kurtit: Njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me politikat tregtare dhe energjetike të qeverisë së tij, duke e akuzuar për vendime që, sipas tij, kanë favorizuar interesat e Serbisë.
    Haradinaj rikujtoi se më 21 nëntor 2018, gjatë mandatit të tij si kryeministër, Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

    Sipas tij, vendimi i qeverisë Kurti për heqjen e kësaj mase më 1 prill 2020 i hapi rrugë rikthimit të mallrave serbe në tregun e Kosovës.Në fushën e energjisë, Haradinaj tha se më 20 dhjetor 2017 kishte nënshkruar projektin me kompaninë ContourGlobal, të cilin e konsideroi si një hap drejt pavarësisë energjetike të Kosovës.

    Ai pretendon se anulimi i këtij projekti nga qeveria Kurti në vitin 2020 ka rritur varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike.Ish-kryetari i Aleancës po ashtu përmendi refuzimin e projektit amerikan të gazit gjatë viteve 2021-2022, duke argumentuar se Kosova humbi një mundësi strategjike për diversifikimin e burimeve energjetike.Duke iu referuar raportimeve mediatike për hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë, si dhe shpenzimeve për importin e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar, Haradinaj ngriti pyetje mbi drejtimin e politikave ekonomike dhe energjetike të vendit.

    “Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka don ky njeri nga Kosova?”, deklaroi Haradinaj.