Kosovë Lajme

Ja ku mund ta shikoni se ku duhet të votoni në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

    Republika e Kosovës më 07.06.2026 do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote mund ta gjejnë qendrën e tyre të votimit përmes këtij linku.

    Në këtë link ata duhet të shkruajnë numrin personal të letërnjoftimit dhe datën e lindjes e pas kërkimit do t’iu figurojë qendra e tyre e votimit për zgjedhjet e 07.06.2026.

    Lista e Votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.

    Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

    Gjithashtu, KQZ njofton për procesin zgjedhor jashtë vendit se përveç votimit me postë, ai do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.

    Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 06.06.2026.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e zgjedhjeve, më 07.06.2026, në 38 komunat e Republikës së Kosovës do të jetë vetëm nga një qendër e votimit me kusht.

    “Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 38 komunat e Republikës së Kosovës përmes 949 Qendrave të Votimit. Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, votuesit mund të votojnë me kusht në cilëndo komunë. Në secilën nga 38 komunat ka vetëm një Qendër të Votimit me Kusht”- njoftoi KQZ.

    Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 07.06.2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Për rreth një vit e gjysmë Kosova po mban zgjedhjet e treta parlamentare, të parat janë mbajtur më 09.02.2025, të dytat më 28.12.2025 dhe të tretat do të mbahen më 07.06.2026. Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, në të cilat doli e para LVV nuk u arrit konsensus për votimin e qeverisë ndërsa pas zgjedhjeve të 28.12.2026 nuk u arrit konsensus për zgjedhjen e presidentit.