Botë Lajme

Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutën për kufizimin e veprimeve ushtarake të Trumpit ndaj Iranit

    Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së ka miratuar një masë që synon të ndalojë presidentin, Donald Trump nga ndërmarrja e veprimeve të mëtejshme ushtarake kundër Iranit.

    Votimi me rezultat 215–208 ishte i suksesshëm pasi katër republikanë iu bashkuan demokratëve në një shfaqje publike kundërshtimi ndaj luftës, e cila filloi në shkurt.

    Ky është përpjekja e katërt e Dhomës së Përfaqësuesve për të kufizuar kompetencat e Trumpit për zhvillimin e luftës, për të cilën kritikët thonë se nuk e kanë miratimin e Kongresit.

    Rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve ka nevojë për miratimin e Senatit amerikan, i cili kontrollohet nga republikanët. Edhe nëse do të miratohej nga Senati, masa nuk ka gjasa ta kufizojë plotësisht veprimin ushtarak kundër Iranit.

    Senati ka avancuar një rezolutë të ngjashme në maj, pas shtatë përpjekjeve të mëparshme të pasuksesshme, por ajo ende nuk ka arritur në votim të plotë në sallën plenare.

    Votimi i së mërkurës shënon shenjën më të fundit të përçarjes brenda Partisë Republikane të Trumpit.

    Kjo erdhi vetëm disa ditë pasi një revoltë e konservatorëve në Kongres bëri që administrata e tij të tërhiqte planet për një fond prej 1.8 miliardë dollarësh kundër asaj që e quante “armatosje politike” në favor të aleatëve politikë.

    Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët Thomas Massie, Brian Fitzpatrick, Tom Barrett dhe Warren Davidson iu bashkuan demokratëve për ta miratuar rezolutën e së mërkurës.

    Demokrati Jared Golden, i cili më parë kishte votuar kundër masave të ngjashme, këtë herë e ka mbështetur atë.

    SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur sulme kundër Iranit më 28 shkurt. Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe duke mbyllur praktikisht ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin global detar.

    Në prill, SHBA-ja ka njoftuar se do të vendoste një bllokadë ndaj anijeve që udhëtonin drejt ose nga brigjet e Iranit.

    SHBA-ja dhe Irani arritën një marrëveshje fillestare armëpushimi më 8 prill.

    Megjithatë, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, SHBA-ja ka kryer sulme kundër Iranit ditët e fundit, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj Kuvajtit, një aleat i SHBA-së.

    Përpara votimit, Trumpi ka deklaruar sërish se negociatat për përfundimin e luftës po shkonin “shumë mirë” dhe se mund të finalizoheshin që këtë fundjavë.

    “Ne i goditëm mjaft fort një natë më parë dhe në fakt edhe mbrëmë”, u ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, duke iu referuar sulmeve në Iran.