Botë Lajme

Gjermania fajëson Rusinë pasi dështoi të sigurojë një vend në KS të OKB-së

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka thënë se mbështetja për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar Gjermanisë me vota, pasi Berlini zyrtar nuk ka arritur të sigurojë një vend rotativ në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Wadephul e ka përshkruar humbjen ndaj Portugalisë dhe Austrisë si një “disfatë të hidhur”, pasi votimi për zgjedhjen e pesë anëtarëve të rinj të Këshillit u mbajt të mërkurën në mbrëmje.

    “Ekziston mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën dhe fakti që Rusia nuk dëshiron një zë të tillë në Këshillin e Sigurimit”, ka deklaruar Wadephul, duke shtuar se nuk ishte “sekret” që Rusia kishte nxitur qëndrime kundër Gjermanisë.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm: SHBA-ja, Kina, Franca, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe 10 anëtarë të përkohshëm, të cilët zgjidhen për mandate dyvjeçare të ndryshueshme.

    “Ne gjithmonë kemi mbajtur një qëndrim të qartë për çështje të caktuara dhe këto janë pozicione që jo të gjitha shtetet anëtare i ndajnë”, ka deklaruar po ashtu Wadephul.

    “Fakti që Gjermania duhet të marrë gjithmonë një përgjegjësi të veçantë për Izraelin në konfliktin e Lindjes së Mesme mund të ketë kushtuar gjithashtu me vota”, ka shtuar ai.

    Wadephul ka fajësuar pjesërisht edhe hyrjen e vonshme të Gjermanisë në garën për mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit.

    Rusia nuk u është përgjigjur akuzave se kishte lobuar kundër anëtarësimit të Gjermanisë.

    Gjermania ka siguruar 104 vota në përpjekjen e saj për një nga dy vendet e grupit të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Tjera, ndërsa Portugalia ka marrë 134 vota dhe Austria 131.

    Mbetja jashtë Këshillit përbën një goditje për kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

    Kritikët e tij në partitë opozitare thonë se ai është përballur me vështirësi në politikën e brendshme dhe tani është vënë në pozitë të sikletshme edhe në arenën ndërkombëtare, duke pasur parasysh se e kishte paraqitur veten si një udhëheqës që do të forconte pozitën e Gjermanisë në skenën botërore.

    Merzi ka thënë se Gjermania do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fortë e sistemit ndërkombëtar dhe ka uruar Austrinë dhe Portugalinë për zgjedhjen e tyre.