Kosovë Lajme

Kurti: Kurrë s’ka pasur më shumë kërcënime ndaj serbëve për ta votuar Listën Serbe

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime të papara për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe, duke e cilësuar situatën si ndër më të rëndat në vitet e fundit.

    Kurti i bëri këto komente pas arrestimit të shtatë personave në Graçanicë gjatë së martës, të dyshuar për kërcënim të votuesve.

    Gjatë një konferencë për shtyp të mërkurën, kryeministri në detyrë ka thënë se shantazhi nga Beogradi për votuesit serbë në Kosovë është shndërruar në fenomen.

    “Fjalët e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në mbledhjen e fundit të qeverisë mbi trysninë e tmerrshme që po bëhet nga Beogradi për serbët e Kosovës për ta votuar Listën Serbe, duke përcjellë edhe rrjetet sociale të secilës figurë publike, secilit politikan serb që ka garuar qoftë një herë, me të vërtetë janë alarmuese. Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi e kemi të dëshmuar nga ankesat e serbëve të Kosovës. Është fenomen që ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vite sa jam kryeministër”, ka thënë Kurti.

    Sipas tij, këto veprime përfshijnë kërcënime, shantazhe dhe kushtëzime financiare ndaj qytetarëve serbë në Kosovë, me qëllim orientimin e tyre politik.

    “Kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që kanë marrë nga Serbia ndonjëherë me kushtëzimin që të rreshtohen thu se bëhet fjalë për ushtri në kohë lufte në radhët e Listës Serbe”, deklaroi Kurti.

    Ai shtoi se Serbia synon të krijojë “dualizma institucionalë” brenda Kosovës dhe të ndikojë në funksionimin e institucioneve të vendit, duke e cilësuar këtë si veprim të paligjshëm në një shtet sovran.

    Kurti nënvizoi gjithashtu se institucionet e drejtësisë dhe prokurorisë janë të pavarura dhe kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë për zbatimin e ligjit, pa dallim etnie apo përkatësie.

    “Serbia vazhdimisht mundohet të ketë elemente të saj, përmes së cilave dëshiron të krijojë dualizma shtetërorë brenda territorit tonë sa i përket funksionimit të institucioneve, shërbimeve publike. Ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur. Republika jonë i ka pushtetet e ndara, ne jemi ekzekutivi, legjislativi nuk është funksional, por gjyqësori e prokuroria vendosin në mënyrë të pavarur. E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë për ta mbrojtur sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë pa dallim. S’ka të bëjë me etninë e asnjë qytetari që ndalohet, kjo ka të bëjë me dyshimet mbi veprime e tyre”, përfundoi kryeministri në detyrë.