Xhandarmëria e Kosovës pritet të formohet si forcë e specializuar për sigurinë kufitare, luftimin e kontrabandës, terrorizmit dhe reagimin në raste krizash.
Prof. Dr. Muhamet Racaj, ish-gjeneral, në një prononcim për “Bota sot”, vlerësoi se themelimi i Xhandarmërisë së Kosovës është një nevojë strategjike në kushtet e sfidave moderne të sigurisë.
Ai tha se kërcënimet si terrorizmi, krimi i organizuar dhe destabilizimi hibrid kërkojnë struktura të specializuara për reagim të shpejtë.
Sipas tij, kjo forcë do të ndihmonte në forcimin e sovranitetit, mbrojtjen e integritetit territorial dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Kosovës.
“Në kushtet e reja të sigurisë globale dhe rajonale, shtetet moderne po përballen me kërcënime të shumëfishta që tejkalojnë format tradicionale të rrezikut. Terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, migrimet ilegale, destabilizimi hibrid, sulmet ndaj rendit kushtetues dhe tensionet kufitare kanë imponuar nevojën për krijimin e strukturave të specializuara të sigurisë, të afta për reagim të shpejtë dhe efikas. Pikërisht në këtë kuadër duhet parë edhe nisma për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, e paralajmëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Krijimi i një force të tillë nuk duhet parë vetëm si zgjerim institucional i mekanizmave të sigurisë, por si një domosdoshmëri strategjike për forcimin e sovranitetit shtetëror, mbrojtjen e integritetit territorial dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Duke elaboruar më tej, shpjegoi se xhandarmëria është një forcë me karakter ushtarako-policor, e cila vepron ndërmjet ushtrisë dhe policisë dhe ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e rendit publik, sigurisë kombëtare dhe kontrollit kufitar.
Çfarë është Xhandarmëria?
Në prononcimin për Bota Sot, ai theksoi se modele të suksesshme të xhandarmërisë ekzistojnë në vende si Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë dhe veçanërisht Turkish Gendarmerie.


