Kosovë Lajme

Nga Shqipëria urojmë që të fitojë përsëri Albin Kurti

    Shkruan Skënder Kapiti

    Unë, me origjinë dhe me prindër nga Kosova, ashtu si edhe familja ime, gjithmonë me shpirt e zemër kemi qenë pranë Kosovës dhe e dimë mirë se çfarë ka pësuar populli heroik i Kosovës nga gjenocidi i kolonizatorit serb. Në opinionet e mia të botuara në media kam shprehur mbështetjen time për Albin Kurtin, në antitezë dhe në kundërshti me të gjithë ata gazetarë, opinionistë dhe analistë të cilët bëjnë propagandë kundër Kurtit. I kam ftuar në debat, por nuk më janë përgjigjur, sepse nuk kanë as fakte dhe as argumente për të kundërshtuar.

    Shumë miq e shokë të mi intelektualë nga Durrësi, që lexojnë opinionet e mia dhe me të cilët bisedoj shpesh, më kanë mbështetur, më kanë dhënë të drejtë dhe më kanë inkurajuar që ta mbështes Kurtin, sepse Kurti sot është e mira jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Këta miq të mi habiten se si ka mundësi që edhe politika dhe mediat në Shqipëri, në tërësinë e tyre, janë djallëzisht “indiferente”, ndërsa disa janë hapur agresive kundër Kurtit.

    Unë asnjëherë nuk e kam takuar personalisht as Kurtin dhe as deputetët e anëtarët e LVV-së, dhe mbështetja ime për Kurtin nuk niset nga interesa personale apo subjektiviste, por nga realiteti faktik dhe i vërtetë.

    Albin Kurti sot është politikisht dhe patriotikisht në vazhdën e projektit amerikan për të triumfuar çështja kombëtare dhe Bashkimi Kombëtar.

    Albinin e akuzon opozita në Kosovë dhe disa opinionistë e analistë hipokritë e djallëzorë se ai e ka braktisur këtë kauzë. Jo, u them atyre: ju, opozita dështake, mediat dhe korrupsioni, e kërcënuat shtetin dhe sovranitetin e Kosovës; me marrëveshjet tuaja antikosovare ju e rikthyet Serbinë në Kosovë. Ju opozitarë të Kosovës, së bashku me mbështetjen e mediave dhe të politikës së Tiranës, firmosët një marrëveshje për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, e cila do të ishte një minishtet serb brenda Kosovës. Ju donit copëtimin e Kosovës me atë plan tradhtie për shkëmbim territoresh. Por Albini nuk është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë duke lënë jashtë pjesë të Kosovës, sipas asaj që dëshironte dhe kishte në projekt Serbia për të marrë nga Kosova.

    Kundër copëtimit dhe ndarjes së Kosovës janë aleatët e mëdhenj të shqiptarëve, SHBA-ja dhe Gjermania, dhe prandaj edhe Albin Kurti nuk lejoi copëtimin e Kosovës. Albin Kurti i ktheu sovranitetin dhe legjitimitetin e vërtetë shtetit të Kosovës, shtriu autoritetin dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës; ai çmontoi strukturat paralele paramilitare, banditeske, terroriste dhe financiare të ngritura nga Serbia në Kosovë. Albin Kurti shpartalloi planin e minishengenit serbo-shqiptar të Vuçiçit dhe Edi Ramës, si një projekt tërësisht antishqiptar dhe sidomos kundër Kosovës.

    Me Albin Kurtin nderohet dhe nuk harrohet historia, as vuajtjet, as sakrificat dhe as gjaku i shqiptarëve i derdhur në shekuj për liri, pavarësi dhe për vetëvendosje gjithëkombëtare, për Bashkimin e Kombit.

    Ju, opozita injorante dhe djallëzore, ju gazetarët dhe mediat mercenare, e akuzoni Kurtin si antiamerikan, kur në të vërtetë Kurti është politikani shqiptar më pro-SHBA. Ju proamerikanizmin e keni fallco, sepse nuk mund të jesh proamerikan nëse punon dhe dakordësohesh për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës; nuk mund të jesh proamerikan kur lejon kërcënimin dhe rrezikimin e sovranitetit të Kosovës dhe kur je i gatshëm që për pushtet të falësh troje e territore shqiptare; nuk mund të jesh proamerikan kur vjedh e grabit pasuritë kombëtare; nuk mund të jesh proamerikan kur je hajdut dhe i korruptuar. Dhe prandaj Kurti është politikani më proamerikan, sepse nuk i ka këto që i citova më sipër.