Kosovë Lajme

Albin Kurti nga Shkupi: Bashkimi i VLEN-it model politik për rajonin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë mbrëmë në Kongresin themelues të VLEN-it në Shkup, ku në fjalimin e tij e cilësoi bashkimin e pesë subjekteve politike shqiptare në një forcë të vetme si një ngjarje të pazakontë dhe me rëndësi të veçantë për rajonin.

    Kurti tha se në politikën ballkanike më shpesh janë parë ndarje dhe përçarje, ndërsa bashkimi i disa subjekteve në një organizim të vetëm politik përbën shembull të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike.

    “Ky njësim dhe ky subjektivizim politik, përveçse dëshmon përgjegjësi politike e qytetare, përbën edhe një model të rëndësishëm bashkëpunimi për organizimet e ndryshme politike që veprojnë në rajon”, deklaroi Kurti.

    Në fjalën e tij, ai foli edhe për simbolikën e 9 Majit – Ditës së Evropës, duke theksuar se Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi vlerat e antifashizmit, demokracisë dhe paqes, ndërsa paralajmëroi se në Ballkan ende shfaqen ide dhe politika që nxisin urrejtje etnike dhe destabilizim.

    Kurti përmendi edhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop”, projektet infrastrukturore si rruga Bllacë–Shkup dhe rruga Prizren–Tetovë, si dhe rritjen e shkëmbimeve dhe lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve.

    Ai vlerësoi edhe rolin e diasporës shqiptare, duke kërkuar përfshirje më të madhe të saj në proceset demokratike dhe zhvillimin ekonomik.

    Në fund të fjalimit, Kurti tha se arritja më e madhe e VLEN-it është bashkimi, duke shtuar se stabiliteti i Ballkanit varet nga integrimi dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucionet shtetërore.

    “Me këtë bashkim këtu sot në Shkup, po e dëshmoni që VLEN-i vlen dhe VLEN-i ia vlen”, përfundoi Kurti.