Kosovë Lajme

Kurti synon 60 për qind, Osmani i prin LDK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë dritën jeshile nga Lëvizja Vetëvendosje, që të garojë si kandidat për ta drejtuar qeverinë edhe në mandatin e ardhshëm. Kryetari i VV-së ka thënë se subjekti politik që përfaqëson synon 60 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit. Ai i ka akuzuar oponentët, duke thënë se duan ta eliminojnë. E një prej listave të partive deri tash në opozitë do të udhëhiqet nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Ajo u rikthye në krye të listës së LDK-së nga e cila u largua gjashtë vjet më parë për t’u bashkuar në rrugëtimin politik me Kurtin
    Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar si kandidat për kryeministër kryetarin e saj, Albin Kurti. Menjëherë pas këtij vendimi të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti që synon mandatin e katërt, nga të cilët vetëm njërin e ka çuar deri në fund, ka thënë se subjekti politik që përfaqëson synon 60 për qind të votave.

    “Nesër bëhen katër javë para zgjedhjeve të reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë saktësisht pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara, kur ne shënuam 51% të votave. Ato erdhën 10 muaj pas zgjedhjeve ku fituam 42% të votave. Pra, nga shkurti deri në dhjetor u rritëm për 9%, dhe nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë mund të prekim edhe 60%. Nëse punojmë ashtu siç dimë ne, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo është e mundur”, ka thënë ai.

    Vetëvendosja shënoi rezultat historik në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke fituar mbi 51 për qind të votave. Por, zgjedhjet e reja u shpallën shkaku i mungesës së marrëveshjes për presidentin, që kërkon pjesëmarrjen në votim të së paku 80 deputetëve, numër që do të mbërrihej me përqindjen e synuar nga Kurti dhe me ligjvënësit e komuniteteve joserbe.

    Por, Kurti ka thënë se edhe pas zgjedhjeve, do të kërkohet bashkëpunim për president apartiak.

    “Për një president të ri jashtë skenës politike me integritete e kompetencë, me vlera kombëtare dhe ata e dinë që kjo ofertë e jona është shprehje e hapjes tonë që është tipike për një subjekt demokratik, por ata nuk e dinë që edhe populli e di të vërtetën”, ka thënë ai.

    Kryetari i Vetëvendosjes ka akuzuar opozitën si fajtore edhe për zgjedhjet e dhjetorit e edhe për ato që do të mbahen më 7 qershor. Për to ka thënë se edhe janë bërë bllok e edhe i kanë krijuar bllokadat. Kurti i akuzoi se duan edhe ta eliminojnë.

    “Opozita po e kërkon pushtetin duke bllokuar progresin. Kjo është të kërkosh të bëhesh kapiten anijes duke ia shpuar fundin asaj. Ata refuzuar kryetaren e parlamentit Albulena Haxhiun, refuzuan të votojnë për Glauk Konjufcën, njeriun e dytë më të votuar në historinë e Kosovë, kuptohet për mua refuzojnë gjithmonë, nuk duan të më shohin me sy e dalin në televizionet e tyre për të thënë se si unë u dashka të eliminohem me çdo mjet”, ka deklaruar Kurti.

    Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti ka folur edhe për qeverisjen e tij. Ai i është referuar rritjes së buxhetit nga 2.4 në 4 miliardë euro, si dhe vendimeve si ai për rritjen e pagës minimale, për programet e punësimit e për shtesat për fëmijë.