Botë Lajme

Gjermania thotë se tërheqja e trupave amerikane ishte e parashikueshme

    Ministri gjerman i Mbrojtjes ka deklaruar se vendimi i SHBA-së për të tërhequr 5.000 trupa nga vendi i tij ishte “i parashikueshëm”, ndërsa aleanca ushtarake e NATO-s ka thënë se po kërkon sqarime nga Washingtoni.

    Duke folur për agjencinë e lajmeve DPA, Boris Pistorius theksoi gjithashtu se “prania e ushtarëve amerikanë në Europë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interes të SHBA-së”.

    Ndërkohë, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se aleanca “po punon me SHBA-në për të kuptuar detajet e vendimit të tyre”.

    Kur u pyet të shtunën në mbrëmje për tërheqjen e trupave, Donald Trump tha: “Ne do ta ulim ndjeshëm numrin dhe do të bëjmë shkurtime shumë më të mëdha se 5,000.” Ai nuk dha më shumë detaje.

    Lëvizja e Washingtonit vjen pasi Trump kritikoi kancelarin gjerman Friedrich Merz për deklaratën e tij se SHBA-ja ishte “poshtëruar” nga negociatorët iranianë në luftën që po vazhdon.

    Dislokimi ushtarak amerikan në Gjermani, aktualisht me më shumë se 36,000 trupa aktive, është më i madhi në Evrope, krahasuar me rreth 12,000 në Itali dhe 10,000 në Mbretërinë e Bashkuar.

    Trump ka sugjeruar gjithashtu tërheqjen e trupave amerikane nga Italia dhe Spanja.

    Vitin e kaluar, Washingtoni vendosi të reduktojë praninë e trupave të tij në Romani, si pjesë e planit të Trumpit për ta zhvendosur fokusin e angazhimit ushtarak amerikan nga Europa drejt rajonit Indo-Paqësor.

    Tani po shtohen shqetësimet brenda aleancës 32-anëtareshe të NATO se vendimi i fundit i SHBA-së mund ta dobësojë organizatën.